INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndarje, zhgënjime, fat! Përgatituni për gjithçka, zbuloni ç'do t'u ndodhë shenjave të HOROSKOPIT në JANAR sipas Paolo Fox

Ndarje, zhgënjime, fat! Përgatituni për gjithçka, zbuloni ç'do t'u ndodhë shenjave të HOROSKOPIT në JANAR sipas Paolo Fox

Publikuar më: 19:48 07-01-2019

DASHI: Të lindurit në shenjën e Dashit që prej vitit të kaluar po përpiqen të gjejnë stabilitet në sferën profesionale, pas ndryshimeve të shumta. 2019-ta nis në një mënyrë të veçantë, por do të përballeni me sfida të reja. Disa probleme nuk mund të zgjidhen nga sot nesër, por tanimë klima e përgjithshme ka ndryshuar. Pozicionimi i favorshëm i Jupiterit dhe Marsit do të fillojë të ketë ndikim të madh në jetën tuaj, sidomos në pjesën e fundit të janarit. Pikësynimet që i kishit vënë vetes prej kohësh do t’i arrini në fund të muajit dhe do t’ju shtohet kështu vetëbesimi. Parashikohen edhe momente të tensionuara, si pasojë e dëshirës suaj për të pasur më tepër në kohë më të shkurtër, por duhet të bëni durim. Nëse keni provime për të dhënë, do të dilni me sukses në ditët rreth datës 22 janar. Në aspektin e ndjenjave, Marsi dhe Jupiteri do t’ju dhurojnë emocione të forta, takime që zgjojnë dëshirën për të dashuruar edhe tek ata që duket sikur kanë hequr dorë prej saj. Sigurisht që duhet të tregoheni largpamës dhe të qëndroni me këmbë në tokë. Për çiftet jetëgjata ky muaj do të sjellë disa mosmarrëveshje që duhen zgjidhur sa më parë. Vitin e kaluar, fati ju ka vënë në provë në marrëdhëniet familjare, por nuk duhet ta ktheni kokën prapa. Çdo gjë mund të zgjidhet nëse tregoheni të vendosur. Pozicionimi i planetëve është mjaft interesant në datë 13 janar, po ashtu me 22 janar, duke i bërë ditët e fundit të muajit me pasionale. Shmangni historitë paralele. Ditët e para të muajit në aspektin fizik janë paraqiten disi problematike. Ndaj, përpiquni të tregoni kujdes në periudhën pas festave dhe të tregoni vëmendje ndaj shqetësimeve që mund të rëndohen me kalimin e kohës. Pikat tuaja të dobëta janë koka dhe krahët. Megjithatë, bëni kujdes edhe me lëvizjet e çrregullta apo dëmtimet.

DEMI: Muaji nis me planetë si Mërkuri, Dielli dhe Saturni në pozicion të shkëlqyer. Vitin e kaluar vura në dukje ndryshimin e madh që solli ndikimi i Uranit. Ky ndikim, për momentin, ka mbetur pezull dhe pritët të nisë sërish pas datës 6 mars. Megjithatë, revolucionet e vogla apo të mëdha që kanë nisur në vitin 2018 nuk do të ndalen, por mund të ngadalësohen në tremujorin e parë të muajit. Ditët rreth datës 24 janar do t’ju bëjnë të ndiheni më të fortë dhe të motivuar, por do të sjellin edhe lajme të mira për ata që kanë ndonjë aktivitet privat. Do të keni tre muaj kohë për t’u menduar, për të ndryshuar strategji dhe për të shmangur hapat e gabuar. Po jua them që tani se prilli dhe maji do të jenë muajt më të mirë për të lindurit në shenjën tuaj. Në aspektin sentimental, ata që kanë ndarë gjatë vitit 2018 do të kenë një mundësi të dytë për t’u rimëkëmbur. Janari do të jetë një muaj përgatitor, ndërsa shkurti do të jetë shpërthyes për sa u përket ndjenjave. Nëse po jetoni një histori të bukur dashurie, ju sugjeroj që të mos ndaleni që në pengesën e parë. Lidhjet me të shkuarën tashmë janë shkëputur. Varet prej rrethanave, por po të keni sadopak kurajë, 2019-ta mund të jetë një vit i shkëlqyer. Planetët favorizojnë martesat, lindjet e fëmijëve, madje edhe ndarjen nga partnerët e pabesë. Çështjet familjarë, sidomos ato ligjore, këtë vit do të shkojnë më mirë. Do të tundoheni të shpërnguleni, të ndërroni shtëpi dhe të ndërmerrni nisma të reja. Pozicionimi i planetëve është mjaft i favorshëm edhe për rikuperimin e energjisë fizike. Dy ditë të rëndësishme për të nisur kura apo terapi janë datat 5 dhe 6 janar, por edhe dhjetë ditët e fundit të muajit. Do të ndieni brenda vetes një dëshirë të madhe për t’u ndier mirë në çdo aspekt.

BINJAKËT: Që në fillim të vitit, duhet të përpiqeni të mbani në kontroll çështjet ligjore. Nëse punoni prej vitesh në një kompani, mund të përballeni me ndryshimin e ndonjë marrëveshjeje apo me ndonjë procedurë burokratike të papritur. Ju këshilloj që të ecni me hapa të sigurt në punë dhe të mos ndërmerrni nisma të guximshme. Nëse keni një aktivitet privat, që prej janarit duhet të filloni të shtrëngoni dorën apo t’i zgjidhni me shumë kujdes bashkëpunëtorët. Nuk është periudhë ideale për aktivitetet me risk të lartë. Vazhdoni të bëni punën e zakonshme dhe mos bëni eksperimente. Nëse kontrata e punës ju përfundon në verë, duhet t’i bëni që tani përpjekjet për ta rinovuar. Mendohuni mirë para se të ndryshoni kryekëput një situatë, edhe nëse nuk ju pëlqen. Në janar, ndjenjat nuk do të jenë në gjendje të fjetur. Ata që kanë një problem të pazgjidhur prej kohësh, mund të shkaktojnë polemika dhe të ndihen të tensionuar. Në datat 17 dhe 18 janar duhet të tregoni kujdes të veçantë. Nëse nuk keni më interes për një histori dashurie, duhet të flisni qartë. Nëse në çift ka mungesë komunikimi, do të shihni ndarjen si mundësi. Për fat, nuk do të jenë në krizë të gjitha çiftet. Kujdes me ndonjë flirt apo tradhti, se mund të dilni zbuluar. Janari nuk është muaj fort i favorshëm për dashurinë. Nëse njiheni me dikë në fillim të vitit, jepini kohë vetes për t’u menduar para se të hidhni hapa të gabuar. Dikush prej jush mund të zbulojë tradhtinë e partnerit/es. Vështirësitë e shumta personale dhe profesionale po rëndojnë së tepërmi në marrëdhënien në çift. Ndiheni të lodhur, të nervozuar nga sjelljet e njerëzve që keni rreth vetes, nuk ndieni përkrahje nga ana e tyre. Edhe dikush që ju është betuar për dashuri të përjetshme mund të bëjë një hap mbrapa dhe kjo nënkupton një periudhë meditimi. Gjendja fizike do të jetë e rënduar sidomos në datat 10 dhe 24 janar. Merreni me shumë punë njëherësh dhe ndieni lodhje.

GAFORRJA: Viti 2019 paraqitet që në fillim relativisht i tensionuar, gjatë të cilit disa aleanca do të arrini t’i mbani në këmbë vetëm përmes diplomacisë. Më datë 14 janar do t’ju duket sikur dikush synon t’ju vërë shkopinj nën rrota. Mund t’ju soset durimi duke u marrë gjithmonë me të njëjtat gjëra, ndaj mund të ndërprisni apo të ndryshoni kryekëput një proces të nisur, nëse dikush nuk ju dëgjon. Duke marrë parasysh pozicionimin e planetëve gjatë këtij muaji, ndryshimet janë të justifikuara. Një periudhë më e qetë pritet të nisë pas datës 31 janar. Lufta me mullinjtë e erës do të prekë kryesisht ata që kanë një aktivitet privat. Nëse punoni me ndonjë ortak, parashikohet ndonjë prishje e mundshme e bashkëpunimit. Të rinjtë mund të gjejnë ndonjë vend pune me kohë të pjesshme, apo të rishikojnë ndonjë marrëveshje të firmosur së fundmi. Janari nuk është muaj i shkëlqyer në aspektin e ndjenjave. Megjithatë, marrëdhëniet e konsoliduara do të vijojnë, edhe pse me disa dritëhije më tepër. Disa prej jush dashurojnë dikë që nuk e bëjnë dot për vete e disa të tjerë janë të përfshirë prej vitesh në një miqësi me nuanca dashurore, për të cilën ankohen, por nuk marrin masa ta ndryshojnë. Çiftet e martuara po dalin nga një periudhë e vështirë që ka ndikuar shumë në aspektin ekonomik të familjes. Nëse keni mosmarrëveshje, sqarojini menjëherë, se gjatë shkurtit dhe marsit do t’ju duhet t’i përcaktoni mirë piketat e marrëdhënies suaj. Në rastet e çifteve me probleme që zgjasin në kohë do të shqyrtohet ndarja si mundësi. Të rinjtë mund të hasin vështirësi me familjet dhe mund të vendosin të largohen nga shtëpia. Pra, fillimi i 2019-tës kërkon pak durim. Jeta sentimentale dhe puna shkaktojnë tensione dhe stres të përditshëm. Për këtë arsye, duhet të tregoheni mjaft të kujdesshëm gjatë janarit, ta merrni me qetësi dhe të mos lodheni së tepërmi. Do të keni probleme fizike, sidomos me stomakun, që është pika juaj e dobët, sidomos kur gjendeni në rrethana të vështira.

LUANI: Muaji nis më së miri, pasi Marsi, Venusi dhe Jupiteri janë vendosur në pozicion mjaft të favorshëm me shenjën tuaj. Ju i përkisni një shenje zjarri dhe në këto rrethana do të mendoni se do t’i zgjidhni të gjitha problemet brenda dy javësh, por kujdes, jo çdo gjë zgjidhet sa hap e mbyll sytë. Sakaq, situata është në përmirësim të ndjeshëm në raport me vitin e kaluar. E para gjë që do të vënë re shumë prej të lindurve në shenjën e Luanit do të jetë aftësia më e mirë e të vepruarit. Do ta ndieni më pak lodhjen dhe do të keni prirjen që ta ndryshoni jetën tuaj pa kurrfarë ngurrimi. Data 14 janar është një ditë ideale për të parashtruar kërkesa. Ata që kanë bërë punë të mirë gjatë muajve të fundit, do të kenë mundësi të nisin projekte të reja, që do të sjellin brenda verës përfitime financiare apo ngritje në detyrë. Nëse jeni në pozicion drejtues, shfrytëzoni rastin deri në nëntor. Më datë 28 janar bëni kujdes me ndonjë mosmarrëveshje me bashkëpunëtorë e kolegë. Në aspektin e ndjenjave, duhet të kuptoni se në ç’pikë janë marrëdhëniet me të shkuarën. Nëse jeni ndarë rishtas, mos u shqetësoni, se do ta kaloni me lehtësi dhe do të takoni një njeri tjetër brenda pak kohësh. Ndryshon puna nëse jeni në një histori dashurie prej kohës, por që e keni lënë disi pas dore për arsye të ndryshme, sidomos prej angazhimeve profesionale. Tani do t’i kaloni vështirësitë, do ta dashuroni lirshëm partnerin/en dhe do të keni më shumë kohë në dispozicion. Nëse jeni në proces ndarjeje ligjore, do t’i përballoni më lehtë pasojat, si shpërnguljen nga shtëpia apo ndarjen e pasurive të përbashkëta. Të biesh në dashuri është më e lehtë në këtë periudhë, ndaj ju këshilloj që të jetoni me lirshmëri dhe t’i menaxhoni ndjenjat me mençuri. Janari është muaj i favorshëm për të nisur terapi të reja, apo për të filluar palestrën, në mënyrë që të ripërtërini fizikun tuaj. Përpiquni të mbani në kontroll stresin që mund të bëhet pak i bezdisshëm në fund të muajit.

VIRGJËRESHA: Problemet në punë duhet t’i zgjidhni medoemos në periudhën 7-25 janar, pasi Saturni dhe Mërkuri janë në pozicion mjaft të favorshëm. Këtë muaj nismat do të jenë të frytshme. Megjithatë, në horizont shfaqen disa vështirësi në lidhje me një marrëveshje apo kontratë. Edhe në marrëdhëniet më të konsoliduara të punës do t’ju duhet të rishikoni pozicionin apo kontratën. Ata që do të hapin një aktivitet të ri këtë vit duhet të luftojnë me mish e me shpirt, por do të vjelin fryte në fund të vitit. Nëse punoni prej kohës me ndonjë projekt, mund të vendosni ta ndryshoni ose mund ta marrë dikush tjetër vendimin. Mos harroni se muajt e parë të vitit mund t’u sjellin sukses sipërmarrësve që duan të promovojnë ndonjë ide interesante. Ju merrni masat e duhura, fitorja do të vijë në fund të vitit. Marrëdhëniet në çift do të hasin disa mosmarrëveshje, si pasojë e problemeve që kanë shkaktuar çështjet profesionale. Në fakt, gjendja ekonomike është shpesh argument debati, madje edhe për çiftet që janë të martuar rishtas. Disa prej jush kanë qenë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore apo për sinqeritetin e parnterit/es. Janari nuk është muaj në të cilin ndjenjat marrin hov, situata paraqitet disi monotone dhe doza e pasionit është e ulët. Çiftet që duan të bëhen me fëmijë mund të presin shkurtin që do të jetë një muaj më i favorshëm në këtë aspekt. Ata që janë vetëm mund të ndiejnë një lloj pezmatimi në shpirt që i pengon edhe për të krijuar njohje të reja. Në aspektin fizik, ju këshilloj që të mbani në kontroll mëlçinë dhe organizmin në përgjithësi. Janari mund të jetë i mundimshëm dhe ju këshilloj që të shmangni me çdo kusht stresin, edhe pse ditët e mesit të janarit do të jenë me aktivitet të ngjeshur.

PESHORJA: Janari do të jetë një muaj i tensionuar në sferën profesionale. Ata që kanë nisur një projekt të ri në verën e vitit të kaluar nuk janë plotësisht të kënaqur. Bashkëpunimi po rezulton më i mundimshëm nga sa ishte parashikuar. Doza e pakënaqësisë shtohet edhe më tepër në datat 14 dhe 25 janar. Kjo nuk do të thotë se do të bllokohen të gjitha shtigjet. Ndikimi negativ i Saturnit nxit te ju dëshirën për t’u çliruar nga disa projekte apo nisma që s’po japin rezultat. Nëse duhet të bëni bilancin e ndonjë situate, është më mirë të prisni edhe disa javë. Nëse keni ndryshuar rishtas vendin e punës, mendoni se nuk keni vepruar si duhej. Kujdes në marrëdhëniet me të lindurit në shenjat e Bricjapit dhe Gaforres, se do të vënë në provë durimin tuaj. Në aspektin sentimental, çiftet që janë martuar apo kanë nisur bashkëjetesën gjatë dy viteve të fundit duhet të bëjnë shumë kujdes që të mos përfshijnë në marrëdhënien e tyre problemet e punës. Edhe nëse keni në krah një njeri mirëkuptues, situata mund të përshkallëzojë në debat. Gjatë muajit të parë të vitit do t’ju ngrihen shpeshherë nervat, ndaj do të bëni mirë të distancoheni nga rrethana që ju vënë në pozitë. Duke u përqendruar vetëm te puna dhe paraja rrezikoni të kaloni në plan të dytë dashurinë. Nëse jeni vetëm, është një periudhë njohjesh, por që nuk do të jenë vendimtare për të ndryshuar fatin tuaj. Pozicionimi i Mërkurit dhe Marsit do të sjellin shqetësime fizike që duhen mbajtur në kontroll, sidomos në javën 14-20 janar. Megjithatë, Jupiteri u vjen në ndihmë atyre që duhet të udhëtojnë apo të punojnë në ndonjë qytet tjetër. Çlodhja mendore do t’ju ndihmojë të kapërceni disa kriza të vogla personale.


AKREPI: Duhet t’i përballoni me kurajë problemet profesionale. Jupiteri dhe Marsi janë në pozicion mjaft të favorshëm dhe do t’ju ndihmojnë të mbyllni ndonjë ujdi frytdhënëse rreth datës 14 janar. Po ashtu mund të zgjidhen disa probleme që po ju vënë në vështirësi prej kohësh, në lidhje me ndonjë çështje pasurie apo trashëgimie. Disa prej jush, ata më të guximshmit, do të nisin rrugëtime të reja, ndërsa të tjerë do të heqin dorë, edhe pse me dhimbje, prej gjithçkaje që nuk është më fitimprurëse. Disa të tjerë do të ndryshojnë vendin e punës, gjithmonë nëse nuk e keni bërë rishtas këtë lëvizje. Çështjet ligjore kërkojnë kujdes të veçantë gjatë janarit dhe shkurtit. Tregohuni të vëmendshëm në katër ditët e fundit të muajit, pasi situata në sferën profesionale parashikohet e tensionuar. Ditët më pozitive në këtë aspekt janë në periudhën 10-24 janar. Në aspektin e ndjenjave, çiftet nuk janë në krizë, por prej kohësh tanimë flitet më shumë për para sesa për dashuri. Për ata që kanë nisur bashkëjetesën apo që janë ndarë së fundmi, shpenzimet janë shtuar muajt e fundit. Ata që janë njohur prej pak kohësh, edhe pse duhen shumë, do të hasin vështirësi për të gjetur shtëpi dhe për të krijuar çerdhen e tyre të dashurisë. Gjithsesi, Venusi është në shenjë në javën e parë të janarit dhe dashuria do të bëhet protagoniste edhe në jetën e atyre që kishin hequr dorë prej saj. Ditët kulmore të dashurisë do të jenë në datat 20 dhe 27 janar. Mos hiqni dorë nga pasioni! Shpesh, të lindurit në shenjën e Akrepit, mbyllen në vetvete dhe kjo nuk është mirë as për ta e as për të tjerët, flisni dhe sqarohuni menjëherë. Historitë e dashurisë që kanë lindur në muajt e fundit të 2018-tës do të konfirmohen më tej. Është një muaj ripërtëritjeje fizike dhe psikologjike, falë ndikimit pozitiv të Mërkurit. Datat 10, 11 dhe 22 janë mjaft të përshtatshme për të nisur ndonjë kurë, por edhe ndonjë projekt që do t’ju falë shpresë dhe emocione për të ardhmen. Mos hiqni dorë nga asgjë në këtë periudhë të vitit dhe flisni me zërin e zemrës. Do të ndieni pak lodhje në datat 28 dhe 29, ndaj mos e mbingarkoni veten.

SHIGJETARI: Viti nis shkëlqyeshëm me Marsin, Jupiterin dhe Venusin në pozicion të favorshëm deri në fund të muajit janar. Po vjen një periudhë ndryshimesh. Disa negociata të rëndësishme të nisura që në dhjetor do të konkretizohen deri në pranverë. Të rinjtë mund të shfrytëzojnë rastin për të ndërmarrë ndonjë nismë të re me shumë vlerë, sigurisht që favorizohen më tepër ata më të përgatiturit. Planetët favorizojnë edhe pjellorinë te gratë që duan të bëhen me fëmijë. Do të ndryshoni kryekëput jetesë. Disa prej jush kanë nisur të shpërngulen që tani në shtëpi të re, ndërsa të tjerë kanë ulur ritmin e punës. Situata është përmirësuar që prej vjeshtës së vitit të shkuar. Tani nuk keni më frikë se mund të humbisni gjëra që deri dje i konsideronit si tejet të rëndësishme për jetën tuaj. Ka ardhur koha që të përcaktoni të tjera vlera dhe të nisni projekte të reja. Mos hyni në borxh të shtyrë nga entuziazmi i momentit, se mbase nuk do të llogarisni si duhet një shpenzim apo investim. Në këtë periudhë është shumë e rëndësishme të keni në krah partnerin e duhur, sepse dashuria do të bëhet më konkrete dhe reale. Njohjet e dhjetorit do të bëhen edhe më të rëndësishme në janar. Nëse e keni gjetur rishtas dashurinë, përpiquni të mos e humbisni dhe të mos nënvlerësoni planet e përbashkëta në çift. Jeni në bisedime për t’u shpërngulur diku, nëse nuk e keni bërë ende. Në çiftet e formuara prej pak muajsh, ka të ngjarë që njëri nga partnerët të ndryshojë vend pune. Më të favorizuara do të jenë çiftet që duan të nisin një jetë të re. Edhe ata që janë ndarë rishtas, do të besojnë sërish te dashuria. Do të ishte mëkat të mos e shfrytëzonit këtë pozicionim kaq interesant në planetëve, që kulmon pas datës 20 janar dhe sidomos në tri ditët e fundit të muajit. Periudha e fundit të vitit 2018 ka qenë mjaft e ngarkuar dhe e lodhshme, por tani, falë ndikimit pozitiv të Jupiterit, do të vini re përmirësime të ndjeshme dhe afatgjata në aspektin fizik dhe psikologjik. Tanimë ndiheni më të fuqishëm dhe me energji, sepse kalimi i Venusit në shenjë e vë theksin te mirëqenia dhe ndjenjat, që i bëjnë mirë gjendjes fizike.

BRICJAPI: Mërkuri, Dielli dhe Saturni do të hyjnë në shenjën tuaj gjatë muajit janar. Është një periudhë me përgjegjësi të mëdha. Besoj se e keni kuptuar tashmë se disa shtigje janë të pakalueshme që prej pranverës së vitit të kaluar. Nëse punoni në varësi të dikujt, mund të ndërmerrni një ndryshim drastik me vullnet të lirë, apo në ndikimin e rrethanave. Nëse keni nisur ndonjë projekt që në vjeshtë, do ta vazhdoni më tej. Jeni në një proces të ngadaltë rimëkëmbjeje, jo vetëm në aspektin profesional. Pika e nisjes karakterizohet nga një pasiguri që do të zhduket me kalimin e kohës. Jupiteri ju mbron nga situatat e vështira. Ndaj, çdo ndryshim do të rezultojë pozitiv. Kujdes në debatet me të lindurit në shenjën e Gaforres dhe Peshores. Nëse do të parashtroni ndonjë kërkesë të rëndësishme, ditët rreth datës 15 do të jenë mjaft pozitive. Të lindurit në shenjën e Bricjapit kërkojnë siguri. Ata që bashkëjetojnë me një partner që ka probleme personale apo profesionale janë në kërkim të qetësisë dhe paqes, kërkojnë vepra dhe jo fjalë. Për rrjedhojë, do të qëndroni me personin e zemrës, duke shmangur viktimizimin e kotë, qortimet dhe ankesat. Sjellje të tilla ju nuk i duroni dot. Datat 15 dhe 16 do të jenë mjaft pozitive për bashkëbisedime të ngrohta me partnerin/en. Çiftet që kanë qenë në krizë, duhet të përpiqen të gjejnë sërish intimitetin e humbur mes tyre. Për njohje të reja, hidhni një sy rreth e qark, duke qenë se Mërkuri do të jetë në shenjë nga data 5 deri më datë 24 janar. Kini parasysh se ky do të jetë një vit me ecuri pozitive dhe, në fund të 2019-tës, Jupiteri dhe Saturni do të hyjnë në shenjë dhe do t’ju çojnë drejt 2020-tës plot me energji. Ja pse nuk duhet të humbisni asnjë rast që nga janari. Si pasojë e ndikimit negativ të Marsit, dozat e nervozizmit janë të larta. Fundjavën mes datave 19 dhe 20 janar mund të viheni në pozitë të vështirë dhe ju sugjeroj të mos e mundoni veten. Saturni në shenjë kërkon disa sakrifica. Duhet të nisni terapi për probleme shëndetësore të kahershme, por në fund do të arrini rezultate pozitive. Në fund të janarit gjendja fizike do të përmirësohet ndjeshëm.

UJORI: Muaji i pari i vitit i gjen të lindurit në shenjën e Ujorit në vijën e sulmit. Edhe ata që bëjnë të njëjtën punë prej vitesh, mund të bëhen pjesë e ndonjë grupi tjetër. Prej muaj, po përgatitni projekte dhe programe. Ndikimi pozitiv i Jupiterit do t’ju ndihmojë që të dilni nga hija dhe nga qëndrimi në vendnumëro, sidomos në aspektin ekonomik. Në punë, priten ndryshime të rëndësishme që prej muajit maj. Nëse keni nisur një punë të re në mësim e vitit të kaluar, mund të arrini suksese të mëdha, sidomos pas datës 20 janar. Më datë 26 do të merrni forca të reja. Arritjet e deritanishme do të shtohen edhe më tepër gjatë muajit, por duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të mbani në kontroll padurimin, sidomos në datat 15-21 janar. Sakaq, do të ndiheni plot entuziazëm, falë pozicionit të shkëlqyer të Marsit. Në aspektin e ndjenjave, nuk do t’ju duhet të prisni gjatë që zemra t’ju rrahë shumë fort. Edhe beqarët e regjur, po të kenë personin e duhur pranë, mund të kapitullojnë. A mund të shndërrohet bashkëjetesa në martesë? Po, mundet. Mjaft të favorizuara janë edhe dashuritë e reja. Është një periudhë me ecuri pozitive, ndaj ndonjëri prej jush mund të tundohet nga ideja për të bërë një fëmijë apo një fëmijë tjetër. Zemrat e vetmuara ende nuk ndihen mirë, sepse ngurrojnë ende, sidomos në fillim të muajit. Tek e fundit, të lindurit në shenjën e Ujorit dorëzohen dalëngadalë dhe me bindje. Nëse jeni ndarë në të shkuarën, do të nisni një jetë të re me partnerin e duhur në krah. Por, nëse një marrëdhënie nuk shkon si duhet, ka ardhur koha të flisni shkoqur. Është periudha ideale për t’u ndarë pa u lënduar dhe pa u penduar në fund. Forma fizike do të jetë në përmirësim të ndjeshëm. Këtë muaj, të lindurit në shenjën e Ujorit do të kenë një armëpushim fizik dhe psikologjik, që do t’i mbushë me shpresë për të ardhmen. Sigurisht që ripërtëritja e plotë kërkon kohë. Disa ditë, kryesisht në mesin e muajit, do të jenë të mundimshme, sepse keni ngarkesë të madhe, por perspektiva e javëve në vijim është e shkëlqyer.

PESHQIT: Muaji nis me polemika dhe me tensione të mbartura që prej fundit të 2018-tës, kur jeni përballur me probleme të nënvlerësuara prej kohësh. Disa prej jush duhet të zgjidhin çështje ligjore apo pune. Megjithatë, ky vit do të jetë tejet i rëndësishëm dhe do të përgatisë terrenin për vitin 2020 që do të jetë fantastik. Nuk përjashtohen mundësitë se disa prej të lindurve në shenjën tuaj i kanë që tani në mendje projektet për të ndërmarrë nisma të reja dhe për të zënë një rol të rëndësishëm në grup. Megjithatë, kjo gjë nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Bisedat për strehimin apo e ndryshimet në punë do të jenë dominuese për 12 muaj. Për t’i çuar deri në fund idetë tuaja, do të jetë e pashmangshme të debatoni me personat që ju kundërshtojnë apo me eprorët. Një projekt ku punoni prej vitesh, do të ndryshojë brenda gjysmës së parë të 2019-tës. Në këtë periudhë, çiftet janë më të brishta edhe si pasojë e ndikimit negativ të problemeve në punë. Është periudhë e vështirë për ata që duan të hedhin hapa të mëdha, por duhet të luftoni dhe t’i kapërceni pengesat. Nëse dikush prej jush ka qenë i pavendosur mes dy marrëdhënieve, gjatë janarit do të ndihet edhe më konfuz dhe rreth datës 17 situata mund të përshkallëzojë. Do të ketë ditë gjatë këtij muaji kur do t’ju duket si barrë e rëndë edhe të shkoni në punë, sidomos në datat 23 dhe 24 janar. Ruani qetësinë! Tregohuni më të vëmendshëm në raportet me fëmijët. Nëse dikush ka tradhtuar partnerin/en, tani ka një problem të madh për të zgjidhur, sipas living. Ata që duan të martohen, ende nuk e kanë futur në brazdë situatën. Nuk përjashtohet mundësia që çiftet e dashuruara dhe fatlume të mund të ngjizin një fëmijë gjatë muajve në vijim, sidomos për ata që duan të shtojnë familjen. Pjesa më e bukur e vitit vjen në muajt e fundit, kështu do të keni mundësi të organizoni edhe ngjarjen e shënuar. Në aspektin fizik, duhet të keni shumë kujdes në pjesën e dytë të janarit, sepse paraqitet një periudhë mjaft e lodhshme. Mos e lini pas dore shëndetin sidomos rreth datës 24 janar dhe në dy ditët e fundit të muajit. Tensioni për të arritur pikësynimet po shndërrohet në problem serioz, sidomos për mirëfunksionimin e mëlçisë.

Article Logic
Execution time: 0.0050559043884277