Ndeshje shumë e tensionuar ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës ku u vendos fati i dy ekipeve.
Ndeshja përfundoi në rezultatin 0-0, duke mbajtur Vllazninë në Superligë, ndërsa Tirana bie në kategorinë e dytë për herë të parë në historinë e saj. Në një situatë të tillë të vështirë, është e natyrshme që ndeshja të mos ishte aspak e qetë. Tensioni mund të pritej me thikë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Në momentet e fundit të ndeshjes duket se ka pasur problem në radhën e tifozëve, me policinë që është fokusuar nga kamera duke shoqëruar jashtë fushe Xum Allushin. Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, si dhe pjesëmarrës në spektaklin e kërcimit “Dance with Me” njihet si tifoz i ekipit të Tiranës dhe duket se e ka ndjekur skuadrën e tij edhe në këtë transfertë të vështirë. Nuk është ende e ditur arsyeja se pse është shoqëruar jashtë stadiumit pasi nuk dukej veçanërisht i nervozuar. Ndoshta thjesht për arsye sigurie.