Do të jetë një ndeshje e luftuar në fushë, por e tillë po rezulton edhe në konferencat për shtyp. Gjatë konferencës për shtyp të ditës së sotme, të përfaqësueses së Maqedonisë, ka folur sulmuesi i njohur në Seria A, Iljia Nestorovski. Nestorovski u shpreh se ai e ka mposhtur Etrit Berishën më parë, duke i bërë ”presion” portierit shqiptar.
“Pyeteni Berishën, më duket se me njeh shumë mirë. Disa muaj më parë i kam shënuar një gol në ndeshjen mes Palermos dhe Atalantës” tha ai për Berishën.
Sulmuesi i referohej ndeshjes së javës së 6 të sezonit të kaluar në kampionatin italian të futbollit, kur Palermo fitoi në transfertë me shifrat 1-0 falë golit të tij. Në atë ndeshje, e cila ishte e dyta për Berishën me fanellën e Atalantës, ai realizoi në minutën e 89-të me një prekje të zgjuar pas një goditje këndi duke dërguar topin në rrjetë.
Maqedonasi foli gjithashtu dhe për gjëndjen e ekipit pas ndeshjes me Izraelin:
”Pas fitores ndaj Izraelit, atmosfera në ekip është në nivelet më të larta dhe shpresoj që të përsëritim një paraqitje edhe më të mirë në duelin e nesërm. Bashkë me kapitenin Pandev, jemi të lumtur që mesfushorët po punojnë në nivelin e kërkuar dhe shpresoj që nesër të kemi pasime në dispozicion nga ata, në mënyrë që të rrezikojmë portën kundërshtare”, përfundoi maqedonasi.
Ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë do të luhet në datën 5 shtator, në stadiumin e Strumicës.