Na vjen keq, i erdhi fati në derë, por burokracirat i prenë ëndrrën...
E kush është ai këngëtar ose këngëtare shqiptare që nuk do donte të ishte pjesë e “X Factor” në Britani, spektaklin e Simon Cowell që ka nxjerrë emra shumë të njohur të muzikës.
Me siguri të gjithë e njihni Dilan Rekën, këngëtarin shqiptar i cili ka provuar spektaklet e zbulimit të talenteve në Shqipëri, por ai ka fituar edhe audicionet online të “X Factor UK”. Herën e parë nuk mundi të shkojë sepse iu refuzua viza, e njëjta gjë i ka ndodhur sërish.
Ai ka postuar një foto ku shfaqet mesazhi i produksionit të “X Factor UK”, ku e e fton Dilanin të jetë pjesë e audicioneve në Londër, por shpreh indinjimin e tij për vizën e mohuar.
“Të pranohesh në X Factor për audicione dhe të të refuzohet përsëri viza, nuk e di! Jam tepër i revoltuar dhe i mërzitur me këtë fakt.Këta nuk e kuptojnë që nuk shkatërrojnë jo vetëm dëshirën time po të mijëra të rinjve që duan të bëhen dikushi dhe të ecin. Nuk kam fjalë. Bëra çmos dy vite me lekë të derdhura pafund dhe asnjë rezultat. Shpresojmë që çdo gjë e keqe ta ketë një të mirë. Do punoj fort për vendin tim dhe të sjell projekte të forta, kaq!”, – shkroi Dilani.