Policia e Krujës ka zhvilluar këtë të djelë një operacion kundër ndotjes së mjedisit, duke arrestuar 9 persona “të cilët në mënyrë të përsëritur, gjatë prodhimit të gëlqeres përdornin si material djegës materiale të ndryshme plastike, sintetike, mbetje fasonerie dhe goma automjetesh”.
Sipas policisë operacioni është kryer pasi ky aktivitet ishte shqetësim i madh për banorët e zonës dhe rrezikonte shëndetin e jetën e tyre.
“Policia e Krujës, pas informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore, si dhe nisur nga shqetësimet e banorëve të cilët ndiheshin të rrezikuar nga ndotja e ajrit, mbrëmjen e djeshme ka organizuar punën duke ushtruar kontroll të befasishëm në Krastë”, njoftojnë Blutë e Krujës.
Si rezultat nga Policia e Krujës janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas me banim në Krujë:
-Lulian Agiçi 38 vjeç
-Mirgen Sheta 37 vjeç
-Atdhe Sula 43 vjeç
-Ilir Sula 34 vjeç
-Bajram Sula 64 vjeç
-Liradin Kraja 61 vjeç
-Fatmir Shullazi 47 vjeç
-Ilir Babasi 48 vjeç
-Dalip Islamaj 49 vjeç
“Është sekuestruar një mjet kamion tip “Mercedes Benz” i ngarkuar me mbetje fasonerie dhe plastike të rrezikshme, që do të përdoreshin për djegie në këto furra në pronësi të shtetasit I.Babasi”, sqaron policia.