INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ndryshimet në administratë, këto janë emrat e drejtorive që shkrihen

Ndryshimet në administratë, këto janë emrat e drejtorive që shkrihen

Publikuar më: 08:41 08-10-2017

Fshesa ndaj parazitëve, grabitqarëve dhe listave partiake në zyrat e shtetit shqiptar është shpallur prioritet kryesor nga qeveria ‘Rama 2’, për 100 ditët e para të mandatit. Ristrukturimi i thellës i të gjitha degëve të qeverisjes pritet të prodhojë valën e parë të largimeve. Përpos shkrirjes së 8 ministrive të rëndësishme, dhjetëra drejtori nuk do të ekzistojnë më ose do t’u bashkëngjiten drejtorive të tjera, tashmë me një numër të reduktuar punonjësish. Për shkak të shkrirjes së Ministrisë së Integrimit, pesë drejtori në varësi të kësaj ministrie, nuk ekzistojnë më. Edhe vetë ministria, e cila është shndërruar në një drejtori, ende nuk figuron në varësi të Ministrisë së Jashtme.

Në riorganizimin e ri të degëve të qeverisjes, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit nuk figuron më në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe as në varësi të një dikasteri tjetër. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, nuk figuron më në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo drejtori është bashkuar me emergjencat civile. Gjithashtu, do të reduktohen drejtoritë e Shërbimit Social Shëndetësor. Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, për shkak të shkrirjes së Ministrisë së Inovacionit, është bërë pjesë e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik, në varësi të Kryeministrisë. Gjithashtu, Departamenti i Inovacionit e Mirëqeverisjes, dikur në varësi të Ministrisë së Inovacionit, nuk ekziston më.

Drejtoritë që shpëtojnë

Shumë drejtori dhe agjenci shtetërore që parashikoheshin që të zhbëheshin nga platforma për ristrukturimin e qeverisjes qendrore, figurojnë si më parë, në varësi të ministrive të reja. Kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndryshe nga sa parashikohej në platformë, figurojnë në formën e mëparshme, të ndara, në varësi të Ministrisë së Financave. Po ashtu, edhe Agjencia e Inventarizimit të Pronave ruhet në formën e mëparshme në varësi të Ministrisë së Brendshme. Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore, e parashikuar për t’u shkrirë, figuron sërish në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, e parashikuar për t’u shkrirë, rezulton sërish në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informate (ALUIZNI) ishte parashikuar që të integrohet brenda Agjencisë së re të Titujve të Pronësisë. Por, ALUIZNI dhe degët e saj figurojnë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Edhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, e cila sipas platformës për ristrukturimin e qeverisjes qendrore duhej që të shkrihej, figuron sërish në varësi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu, platforma e prezantuar disa ditë më parë nuk është reflektuar plotësash as në ministritë e tjera, ku shumë drejtori që duhet të bashkoheshin apo të shkriheshin, rezultojnë në formën e mëparshme.

Ministria e Mjedisit

Ndryshe nga sa parashikohej në platformë, nuk kemi një bashkim të agjencive të mjedisit, pyjeve, ujërave dhe zonave të mbrojtura. Aktualisht, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit janë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Drejtoritë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve. Edhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve është ruajtur në formë e mëparshme, por tashmë nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Edhe drejtoritë e bujqësisë, të planifikuara për t’u shkrirë, figurojnë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Gjithashtu, agjencia e duhanit dhe enti i farave dhe fidanëve, të parashikuara për të kaluar nën varësi Institutit të Kërkimit të Teknologjive, rezultojnë në formën e mëparshme, po nën varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Drejtoritë që shkrihen

Drejtoria e Përafrimit të Legjislacionit të BE, integrimi

Drejtoria e Jetësimit të Prioriteteve dhe Sekretariatit Evropian, integrimi

Drejtoria e Bashkëpunimit Territorial, integrimi

Drejtoria e Burimeve Njerëzore, çështjeve Juridike dhe Shërbimeve, integrimi  

Drejtoria e Programimit dhe Monitorimit të Asistencës së BE, integrimi

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, Ministria e Mbrojtjes

Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, shkrihet me emergjencat civile,

Ministria e Brendshme

Reduktohen drejtoritë e Shërbimit Social Shëndetësor

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike

Departamenti i Inovacionit e Mirëqeverisjes

Drejtoritë që shpëtojnë 

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Agjencia e Inventarizimit të Pronave

Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informate

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura

Agjencia Kombëtare e Mjedisit

Drejtoritë Kombëtare të Mjedisit

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve

Drejtoritë e Bujqësisë

Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve

Agjencia Kombëtare e Duhan Cigareve

Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim

Ministritë që shkrihen

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

Ministria e Integrimit Evropian

Ministria e Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike

Ministria e Zhvillimit Urban

Ministria e Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin

Ministria e Shteti për Çështjet Vendore

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Article Logic
Execution time: 0.0039629936218262