Vetëm pak ditë kanë kaluar nga betimi i Donald Trump si president dhe menjëherë kanë nisur ndryshimet në dekorin e Shtëpisë së Bardhë.
Zyra Ovale, ku Trump do kalojë pjesën më të madhe të kohës, është përshtatur sipas shijeve të tij. Si fillim perdet ngjyrë të kuqërremtë që ndodhen mbrapa tavolinës jolëvizëse, u zëvendësuan me ato në ngjyrë ari. Kjo pasi bilioneri njihet për pëlqimin e madh që ka ndaj dekorimeve të brendshme ngjyrë floriri.
Është mëse e zakonshme për një president të ri të dojë të ridekorojë Zyrën Ovale si dhe disa pjesë të tjera të Shtëpisë së Bardhë , e cila vlen 397.9 milion dollarë. Le të kthehemi edhe njëherë tek Zyra Ovale, ku duket se Trump ka kthyer mbrapsht bustin e Winston Churchill pasi Obama e zëvendësoi atë me bustin e Dr. Martin Luther King Jr.
Megjithatë në një intervistë për People, në 2015-ën, Trump është shprehur se nëse zgjidhet president, nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë, pasi është një vend tepër special për t’u ndryshuar drastikisht.