Spitalet, klinikat mjekësorë private apo publike dhe klinikat stomatologjike do të duhet të akreditohen çdo 5 vjet për cilësinë dhe standardin që përfaqësojnë.
Një ndryshim i bërë së fundmi në ligjin “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” ka zgjeruar konceptin për procesin.
Sipas ligjit akreditimi është procesi i pavarur për vlerësimin e jashtëm të cilësisë, i cili përcakton nëse institucioni i kujdesit shëndetësor përmbush standardet e caktuara të cilësisë, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Neni 26 i draft ligjit që përcakton pikërisht pjesën e akreditimit vlerëson se përjashtim nga rregulli do të bëjnë vetëm laboratorët mjekësorë.
“Vendimi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor jepet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, pas rekomandimit të Bordit të Akreditimit. Akreditimi i institucioneve të kujdesit shëndetësor është periodik, çdo 5 vjet, sipas përcaktimeve të bëra me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Mënyra e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, publik dhe jopublik, dhe afatet për procesin e akreditimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në draft ligjin e kaluar tashmë në Këshillin e Ministrave