Gjatë ditës së djeshme është raportuar gjerësisht në mediat online se bukuroshja Anxhelina Hadërgjonaj do të shfaqet në videoklipin e ri të Kanye West.
Ajo natyrisht nuk do këndojë, por Anxhelina duket se ka siguruar biletën e saj për t’u bërë e njohur si kërcimtare në klipin e një prej artistëve dhe personazheve më në zë përtej oqeanit. Dhe duket kështu se videot e ndryshme në Instagram ku këngëtarja simpatike kërcen nuk janë aspak të rastësishme. Po sikur ato të mos jenë të vetmet postime “jo të rastësishme” që Anxhelina ka shpërndarë në rrjetin e saj social? Bie në sy veçanërisht një video që bukuroshja 23 vjeçare ka postuar javë më parë. Aty shfaqet duke kënduar një nga këngët më të suksesshmë të Kanye West në albumin e tij të ri, “The Life of Pablo”, dhe si e tillë me më shumë gjasa për t’u kthyer në videoklip në planet afatshkurtra të artistit amerikan.
Bëhet fjalë për “Famous”, e realizuar në bashkëpunim me Rihanna-n, një këngë që ka shkaktuar debate që në ditën e parë të publikimit të albumit. Kjo pasi pikërisht kjo këngë ka shkaktuar krisjen e dytë mes Kanyes dhe Taylor Swift, për shkak të komenteve seksuale dhe banale mbi yllin e muzikës pop. Pra, një realizim muzikor që me shumë mundësi do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve sapo të dalë, duke e vënë edhe Anxhelinën në qendër të vëmendjes. Në rast se do të shfaqej në të natyrisht. Por diçka është e sigurt, në rast se Kanye do të publikonte një videoklip së shpejti, “Famous” do të ishte emri i duhur pasi është një këngë që e ka garantuar suksesin ende pa rënë në veshin e publikut, për të mos përmendur bashkëpunimin me Ririn që është gjithmonë një garanci më vete. E megjithatë kjo nuk është gjithçka.
Për t’iu rikthyer indikacioneve të Anxhelinës, se fundmi ajo ka postuar një video në Instagram ku shfaqet duke kërcyer një nga këngët më të suksesshmë të kohëve të fundit. As më shumë e as më pak se “Work” e vajzës së keqe Riri! Rastësi? Thonë që dy indikacione bëjnë një provë...
Megjithatë ende nuk ka konfirmime zyrtare, por sipas të gjitha gjasave një tjetër emër shqiptar do nisë rrugën e famës dhe suksesit në Amerikë.