INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Në debatin për importin e plehrave përfshihet ashpër dhe Agron Duka

Në debatin për importin e plehrave përfshihet ashpër dhe Agron Duka

Publikuar më: 13:15 22-09-2017

Agron Duka, Kreu i agrarëve dhe ambientalistëve është kundër importit të plehrave, por është i bindur se projekti do të miratohet nga mazhoranca e Partisë Socialiste.
Në një intervistë për “Koha Jonë” Duka jep disa fakte që tregojnë se Rama jo vetëm nuk ka ndërmend të tërhiqet nga plani për importin e plehrave nga gjithë Europa, por edhe t’i djegë ato. Kreu i PAA deklaron se në Shqipëri, po ndërtohen me shpejtësi inceneratorë (djegës) të plehrave, më shumë sesa ka nevojë vendi.
“Ndonëse mund të përshëndes vendimin e Grupit Parlamentar të PS-së për t’u tërhequr nga ligji i importit të mbetjeve, gjykoj se çështja nuk do të mbyllet këtu. Shqipëria është shumë larg çdo trajtimi serioz të çështjes së mbetjeve. Personalisht nuk i besojë dikujt që mbajti një qëndrim kundër mbetjeve në 2011, anuloi ligjin për importin në 2013 dhe në 2016 tentoi të rihapte dyert e Shqipërisë për plehrat. Nuk duhet të habitemi më nga kjo inkoherencë, duhet të jemi gati të protestojmë dhe të krijojmë kushtet për një debat të hapur, serioz, profesional mbi këtë temë delikate. Dyshimet e mija kanë lindur nga fakti se mazhoranca po ndërton inceneratorë ose djegës të plehrave, të cilët përbëjnë jo vetëm rrezik për ambientin, por rrëzojnë industrinë e riciklimit. Pra nëse po ndërtojnë furrat djegëse në gjithë Shqipërinë, dhe kapaciteti i tyre është më i lartë se mbetjet që ne prodhojmë, do të thotë se kanë bërë llogaritë që shpejt apo vonë të importojnë mbetje nga jashtë. Për shembull, pak muaj më parë është dhënë leja për ndërtimin dhe menaxhimin e një inceneratori për djegien e mbetjeve spitalore dhe kafshëve të infektuara në Shijak. Prandaj duhet të bëhemi gati, do të na i sjellin përsëri nëse nuk reagojmë. Ne si PAA kemi protestuar me kohë kundër inceneratorëve dhe mbetjeve, dhe do ta bëjmë sërish”, tha Agron Duka.

Article Logic
Execution time: 0.0036580562591553