INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Në galeritë ‘e vdekjes’ në Bulqizë: Unë dëshmitari i nëntokës! [FOTO]

Në galeritë ‘e vdekjes’ në Bulqizë: Unë dëshmitari i nëntokës! [FOTO]

Publikuar më: 17:22 20-11-2017

Ora shënonte 6:30 am, kur unë isha ulur me mikun tim në një lokal në Bulqizë.

Ai ishte punëtor në njërën nga galeritë e “Zonës D”, zonë kjo që në bazë të atyre që kisha dëgjuar ishte në shumicën e rasteve zona që ndante jetën dhe vdekjen.

Gjatë bisedës me mikun tim, dhe gjatë historive rrëqethëse që më tregonte, disa herë mendoja nëse duhet të merrja rrezikun dhe të futesha ta shikoja vete, ku vdisnin te rinjtë si unë, që një ditë më pas harroheshin nga media.

Ne Bulqizë shkova për të bërë një shkrim në familjen e Eduartit, por familja nuk pranoi të flasë. Ndaj, meqë nuk pashe dot ku jetonte, vajta te shoh ku vdiq.

Shoku më vuri në dijeni se nuk mund të merrja as telefonin e as aparatin me vete, pasi do me kontrollonin e do ma merrnin.  Ndalohej te publikohej ajo që ndodhte brenda galerisë në të cilën do të hynim ne, dhe që ishte në pronësi të disa personave nga Bulqiza.

Me mikun tim, iu drejtuam furgonit të transportit të punëtorëve, për tu nisur në një rrugë të pashtruar, që më shumë më ngjante si e improvizuar, që ishte krijuar enkas për të shkuar drejt vdekjes, e për t’i shkundur mirë zorrët me gropat dhe infrastrukturën inekzistente.

45 minutat e ngjitjes drejt minierës ishin 45 minutat e heshtjes, që të ngjanin si rruga drejt një funerali, heshtja kishte disa arsye, disa ishin të lodhur, disa më të rinj në moshë ishin të përgjumur e disa të tjerë shikonin rrugën pas, duke shpresuar që në darkë do ta bënin përsëri.

Pas asaj rrugë rraskapitëse, mbërrijmë tek “dhomat e zhveshjes” dhjetëra punëtore hiqnin rrobat e tyre, dhe vishnin rrobat e punës, rroba këto të lagura qull, ngaqë akoma nuk ishin tharë nga e djeshmja. Trupi iu thithte lagështinë e rrobave, truri, britmat e përgjegjësit, që ju kujtonte të nxitonin sepse kishin normën për të bërë.

Gjithҫka gati, koha që të nisim udhëtimin për në nëntokë, sapo hedh hapin brenda një tuneli të errët që duket sikur nuk ka fund, këmbët të ngrijnë së ftohti nga temperaturat e akullta dhe acari që vjen nga fundi i galerisë.

Punëtorët e pajisur vetëm me kasketë mbrojtëse në kokë ecin të heshtur, unë pas tyre, i frikësuar. Udhëtimi në këmbë nuk kishte fund. Kur arritëm në fund e pyeta mikun tim me gjysmë zëri “sa kemi ecur”, “5 km” mu përgjigj ai.

Pasi udhëtimi në rruge te drejte kishte përfunduar, ne u kthyem djathtas rreth 1 Km, dhe rruga prej 1 Km ishte me baltë që të nxirrte djersët , sepse këmba futej thellë në baltë, dhe tërheqja sipër ishte mjaft e vështirë, ngaqë balta ishte shumë e rëndë.

Pas disa minutash, miku im më thotë, më rri pas dhe afër, në momentin që ai po thoshte këto fjalë, shikova tek ngjitej në një tub metalik duke u zvarritur, dhe më thotë “Eja sipër”, unë shtanga dhe thashë “ më mirë po ngjitem me shkallë” ai me një buzëqeshje të lehtë më tha “mos do edhe ashensor zotëria jote”.

Aty u dorëzova që nuk kisha zgjidhje tjetër, përveҫse të sforcohem dhe të ngjitem rreth 70 metra, dhe gjatë ngjitjes më vinte në mendje vetëm Tarzani dhe stilet e tij zvarritëse, nëpër pemët e larta.

Ecëm drejtë, pastaj përsëri u ngjitëm sipër, pastaj drejtë dhe pastaj në disa shkallë të drurit që nga momenti në moment priteshin të thyheshin….

Kur u ulëm për të ngrënë bukë, shtruam “tavolinën” nxorëm bukën nga ҫanta dhe nën pikat e ftohta të ujit që pikte nga galeria filluam duke ngrënë, shoku im kishte marrë me vete, patate të skuqura, një copë djathë, qumësht dhe pak mish pule, që u detyrua ta ndante me mua.

U ngritëm dhe miku im së bashku me minatorët e tjerë mbanin diçka në dorë, që mesa kuptova quhej “Martel”, me këtë mjet ata po bënin disa vrima në galeri që mund të ishin deri në 2 metra, pastaj nxorën dhe mbushën këto vrima me dinamit, për të lënë fitilin që pastaj ta ndiznin.

Pas kësaj u fshehëm në një cep të galerisë dhe njëri nga ata ndezi fitilin. Ishte ndoshta momenti ku mua rrahjet e zemrës për pak sa nuk më ndaluan, ula kokën dhe mbylla veshët dhe prita që i gjithë mali të na binte mbi kokë. Mendova prindërit e mij ato ҫaste. As e dinin ku isha.

Dukej se fati ishte me ne, mali nuk na ra mbi kokë, dolëm nga vendi ku i fshehëm, u ngritëm dhe puna për ata sapo kishte filluar.

Minatorët mbushnin karroca me krom për t’i shkarkuar tek vrima që ne u ngjitëm ne tub. Ne ndodheshim në “nënkatin e 8-të”, kjo procedurë ngarkim-shkarkim karrocash vijonte për 8 nënkate për të përfunduar tek vagoni që mbushej me 2.5 ton krom e për tu shtyrë nga minatorët për plot 5 kilometra.

Përsëri vijonte i njëjti proces pune, nën frikën e shembjes së momentit të galerisë, derisa të plotësonin normën e 10 vagonave me 2.5 ton krom, pra 25 ton, që do të shitej nga pronarët që mesa mësova, nuk kishin hyrë ndonjëherë në atë galeri të vdekjes.

Ora shënonte 13:00 dhe po bëheshim gati të niseshim për jashtë galerisë, aty ku pasi dolëm, na pritën buzëqeshjet e minatorëve të tjerë. Ishte si të të buzëqeshte jeta vetë.

Ishin buzëqeshje 20-vjeçarësh që fati iu a kishte shkruar të jetojnë edhe një ditë më shumë.

Në orën 15:00 u mblodhëm të gjithë dhe hipëm në po të njëjtin furgon, ku tanimë nuk kishte heshtje, por lodhje e gëzim, qe po ktheheshin gjalle në shtëpi. /Nga Isa Myzyraj.

 

72-1-768x542.jpg74.jpgas-5-620x381.jpg71-2.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0041530132293701