Kemi parë shumë mënyra për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por kjo ishte e padëgjuar.
Dita e 28 nëntorit festohet edhe përtej oqeanit, në arenat më prestigjoze të sportit, siç është ajo e NBA (National Basketball Association). Në kampionatin më të rëndësishëm të basketbollit në botë dhe në një nga më të rëndësishmit në tërësi në botën e sportit është kënduar dhe kërcyer shqip në interval të ndeshjes. Është ndeshja e Toronto Raptors kundër Philadelphia 76ers në stadiumin Air Canada Centre në Toronto të Kanadasë, por pavarësisht se ngjyrat nuk shfaqen në uniformat e dy ekipeve, arena vishet “Kuq e Zi”. Dhe këtë e bën jo vetëm nëpërmjet pankartave dhe flamujve të kuq e të zinj, por edhe me këngën e Flori Mumajesit dhe Elvana Gjatës, që e ka shoqëruar kombëtaren tonë kudo. Ishte një 28 nëntor si asnjëherë më parë, ku prania e ngjyrave dhe këngëve tona në stadiumet më prestigjoze të sportit vërtetë që të bën përshtypje.