INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Negociatat, deputeti austriak: Shqipëria duhet të vërë nën kontroll kultivimin dhe trafikun e drogës

Negociatat, deputeti austriak: Shqipëria duhet të vërë nën kontroll kultivimin dhe trafikun e drogës

Publikuar më: 12:26 25-11-2016

Deputeti austriak Hammer e quan hashashin pengesë për negociatat dhe aludon për përfshirjen  e qeverisë në kultivim e trafik. Ai ka edhe një shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri.

Pas deklaratave të Deputetit gjerman Gunther Krichbaum se Shqipëria nuk është edne gati për hapjen e negociatave pasi nuk ka përmbushur 7 kushte, një tjetër zyrtar europian ka kritika për vendin tonë. Deputeti Michael Hammer (PPA), shef i shoqatës parlamentare të miqësisë Austri­-Shqipëri shprehet pozitivisht për rekomandimin e Komisionit Europian për të filluar negociatat e antarësimit me Shqipërinë, por thekson se problem kryesor mbetet kultivimi dhe trafiku i kanabisit, për të cilin qeveria Rama duhet të gjejë zgjidhje.

Duke komentuar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave, Hammer është shprehur se ka “zhvillime pozitive në Shqipëri sidomos me refomën në drejtësi të votuar nga të gjitha partitë politike por edhe probleme akute.”

Më tej ai ka theksuar:

“Në mënyrë të veçantë problemi i kultivimit e trafikimit të drogës duhet të zgjidhet shumë urgjentisht nga qeveria Rama dhe autoritetet përgjegjëse. Qeveria duhet të ndalojë dhe refuzojë praktika të tilla nëse dëshiron të ndryshojë imazhin e saj në botë. Ky problem është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Për këtë arsye, qeveria Rama duhet të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE-se duhet të mbikëqyren rreptësisht këto zhvillime”.

Ajo që është më domethënëse është se deputeti Hammer është kryetar i shoqatës parlamentare të miqësisë Austri-Shqipëri.

Dje ishte Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman që ngriti problemin e drogës dhe të krimit të organizuar që po depërton në politikë dhe ekonomi, duke pohuar se pa patur përparime në këtë drejtim nuk do të ketë hapje të negociatave.

Po dje televizioni publik gjerman ARD transmetoi një reportazh për kanabisin në Shqipëri duke ju referuar vendit si prodhues në masë i kanabisit dhe duke vënë në dyshim gadishmërinë e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në.

Para dy javësh ishte televizioni publik italian RAI, i cili shfaqi dy reportazhe në lidhje me kanabisin duke ekspozuar lidhjet e policisë shqiptare me kanabisin dhe duke kritikuar ashpër Ministrin Tahiri për fshehje të këtij realiteti.

Article Logic
Execution time: 0.002324104309082