INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Negociatat me Greqinë, Ilir Meta zbardh 3 takimet me ministrin Bushati

Negociatat me Greqinë, Ilir Meta zbardh 3 takimet me ministrin Bushati

Publikuar më: 22:00 28-02-2018

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi i pyetur nga mediat lidhur me përmbajtjen e tre takimeve të Ministrit të Jashtëm Bushati me Presidentin e Republikës Meta të pretenduar nga zoti Bushati sot gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit sqaron se:
Është e vërtetë që janë zhvilluar tre takime me kërkesën e Ministrit Bushati, posaçërisht në datat 6 tetor 2017, 18 janar 2018 dhe 9 shkurt 2018.
Në takimin e datës 6 tetor vendin kryesor e ka zënë kërkesa e MEPJ për t’i akorduar gradën Diplomatike Ambasador Ambasadorit të Shqipërisë në detyre në Beograd, z. Ilir Bocka, si dhe kërkesa për të pranuar në parim propozimin për të emëruar Ambasador në NATO z. Igli Hasanaj.

Presidenti i Republikës firmosi menjëherë mbas takimit, atë ditë, dekretin për z. Bocka dhe pranoi në parim kandidaturën e z. Hasanaj duke kërkuar kohë për verifikimet përkatëse.

Ky takim nuk zgjati më shumë se 15 minuta.

Gjatë takimit të dytë sqarojmë se z. Bushati çështje kryesore kishte sqarimin për votimin në OKB dhe çështje të përgjithshme të personelit diplomatik jashtë vendit.

Ai shprehu njëkohësisht ndjesën dhe keqardhjen për mos koordinimin e tij me Kryeministrin Rama lidhur me ndryshimin e propozimit për z. Igli Hasanaj nga Ambasador në NATO për në OSBE

Ne fund të takimit zoti Bushati i tha zotit Meta se të nesërmen do të shkonte në Korçë për të takuar zotin Kotzias për të zgjidhur të gjitha çështjet e trashëguara mes dy vendeve.

Zoti Meta e inkurajoi që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit pozitiv si e vetmja rrugë për të dy vendet tona.

Edhe ky takim nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta.

Më datën 9 shkurt është zhvilluar takimi i tretë, përsëri me kërkesën e Ministrit Bushati.

Çështja kryesore e ngritur nga zoti Bushati ishte emergjenca për emërimin e dy Ambasadorëve të rinj në UNESCO dhe në Gjeneve.

Zoti Meta i premtoi se kjo gjë do të ndodhte menjëherë dhe po atë ditë Presidenti Meta firmosi dy dekretet për emërimet e kërkuar nga Ministri Bushati.

Në fund të këtij takimi zoti Bushati i tha zotit Meta se bisedimet me zotin Kotzias kishin vajtur shumë mirë në përgjithësi dhe i duhej një autorizim për të mbyllur marrëveshjen e detit.

Zoti Meta i bëri të qartë zotit Bushati edhe një herë rëndësinë e madhe që ai i ka kushtuar dhe i kushton marrëdhënieve me Greqinë duke e sqaruar se komunikimi për këtë çështje të rëndësishme do të jetë gjithmonë zyrtar dhe shkresor, ndërsa kërkesa për autorizim të vinte sipas procedurave të përcaktuara qartë nga vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Ky takim nuk i ka kaluar 10 minutat.

Pavarësisht nga kjo transparencë, lidhur me tre takimet, dëshiroj të konfirmoj edhe një herë qëndrimin e Presidentit të Republikës për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Greqinë.

Po kështu Presidenti Meta mbështet çdo nismë për një marrëveshje të re me Greqinë dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me Qeverinë dhe Parlamentin në mënyrë konstruktive, të përgjegjshme dhe transparente në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të evituar çdo surprizë të pakëndshme në të ardhmen.

Article Logic
Execution time: 0.0037248134613037