Edhe pse janë në ditën e dytë bisedimet për çështjen e emrit të Maqedonisë, të cilat janë zhvendosur në SHBA, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se Greqia, në negociatat që po zhvillohen për emrin e Maqedonisë, “synojmë të marrim diçka që të tjerë e dorëzuan para 70 e më shumë vjetësh”.
“Fqinjët tanë veriorë”, tha Tsipras, “për mbi 70 vjet kanë një entitet shtetëror, qoftë në kuadër të federatës jugosllave, qoftë si shtet i pavarur më vonë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që quhet Maqedoni dhe mbajnë një emër i cili, pa asnjë referencë tjetër revokon botën antike greke dhe trashëgiminë e rëndë kulturore të Maqedonisë greke. Këtë po shkojmë të marrim. Nuk është e lehtë. Disa budallenj na thonë se po shkojmë të japim. Shkojmë që të marrim, jo që të japim”
Tsipras shtoi:
“Po shkojmë të pajtohemi me fqinjët tanë, të cilët kanë një entitet shtetëror që për 70 vjet quhet Maqedoni, por që nuk ka asnjë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe rrugëtimin e tij historik. Kanë rrënjë sllave dhe shqiptare dhe këtë ata e pranojnë”.
Duke iu referuar vetë negociatave që janë në zhvillim e sipër, kryeministri grek tha se ato “janë të ndjeshme, kritike, por janë bërë hapa përpara”.