Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i shoqëruar nga Komisioneri Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka nisur vizitën zyrtare në Tiranë. Juncker u prit nga Kryeministri Rama dhe ministri Bushati, ndërsa rreth orës 19:15 minuta pritet të mbahet një konferencë për shtyp. Në turin e tij në Ballkan, më herët gjatë ditës, Juncker u ndal në Maqedoni.
Kreu i Komisionit Europian nuk ka dhënë një datë për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por ka thënë se vendi është në rrugë të drejtë. Ai prezantoi strategjinë e BE për zgjerimin. Presidenti i Komisionit Evropian tha se Maqedonia ka bërë kohët e fundit shumë reforma impresionuese.
Juncker, ndërkohë nuk ka preferuar të flasë për çështjen e emrit, duke thënë se ajo duhet zgjidhur nga Maqedonia dhe Greqia.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri Zoran Zaev falenderoi zyrtarët e BE që zgjodhën Maqedoninë si etapën e parë të turit të tyre ballkanik. Ai u shpreh i bindur ndërkohë se në qershor, vendi do të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.