Kryeministri Rama e ka nisur ditën me ndarjen në faqen e tij në Facebook të asaj që e quan kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët postuar nga Këshilli i Europës. Në video thuhet se përpjekjet e Shqipërisë janë vlerësuar e se reformat duhet të vazhdojnë.
“Mbrëmë, në të njëjtat orë që Këshilli Europian postonte këtë kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë! Me lutjen që të mos u’a harroni këto shfaqje të pafundme brutaliteti kundër qëllimit tonë të përbashkët dhe vetë Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur!”-shkruan Rama. Por në fakt për Shqipërinë dhe Maqedoninë nisja e bisedimeve do të bëhet vitin e ardhshëm, çka tregon se pritshmëritë e mëdha për çeljen e negociatave në qershor u rrëzuan për shqiptarët. E megjithatë drejtuesit e vendit tonë nuk kanë nguruar ti konsiderojnë si pozitive gjithë zhvillimet pasi sipas tyre marrja e një date konkrete tregon se rruga jonë drejt BE-së është e afërt.