Kampionati Europian po afrohet, dhe do të përjetojmë emocionet që si kemi ndjerë ndonjëherë më parë, pasi përfaqësuesja jonë, do të marrë pjesë për të parën herë në një kompeticion të një rëndësie kaq të madhe si Euro2016. Për këtë fakt, Bashkia e Tiranës, ka menduar të bëjë një organizim special për të ndjeku kuqezinjtë në ndeshjet e tyre ne Francë. Sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë do të jetë i dedikuar vetëm për tifozët kuqezinj në periudhën 10 qershor-10 korrik gjatë kohës kur do të luhet kampionati Europian. Ashtu si në kryeqytetet e tjera Europiane, edhe Tirana, do të ketë FAN ZONE, me ekrane gjigande LED, me fusha, ku shikuesit mund të kryejnë aktivitete të ndryshme e të mbështesin e brohorasin kombëtaren tonë përfaqësuese.
Videoja 3D e projektit se si do të shndërrohet sheshi “Nënë Tereza” gjatë këtij muaji, është publikuar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama, te cilët kanë ftuar të gjithë shikuesit për të ndjekur kuqezinjtë gjatë rrugëtimit të tyre në Francë.