INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nesër mbahet takimi i liderëve të NATO-s. Përballja e parë Rama - Trump

Nesër mbahet takimi i liderëve të NATO-s. Përballja e parë Rama - Trump

Publikuar më: 17:40 24-05-2017

Nesër do të jetë një ditë e veçantë për Aleancën Atlantike. Udhëheqësit evropianë do të presin ardhjen e presidentit të ri të SHBA në kryeqytetin belg dhe pritet që të kërkojnë një ri afirmim të angazhimit të Uashingtonit ndaj aleancës perëndimore. Gjatë samitit të NATO-s do të përurohet edhe godina e re në Bruksel, një ndërtesë prej 250 mijë m2 e cila ka kushtuar 1,1 miliardë euro. Presidenti Trump ka bërë deklarata të forta më herët duke u shprehur se NATO ishte model "i vjetruar". Analistët e huaj shkruajnë se Donald Trump do ta shfrytëzojë këtë rast që të kërkojë mbështetje të mëtejshme për fushatën e tij kundër terrorizmit global. Por edhe liderët e vendeve anëtare të NATO-s duke se po presin të diskutojnë se cili do të jetë fati i prezencës në Afaganistan dhe operacioneve në Siri dhe Irak. Sipas gazetës franceze “Le Monde” liderët e 28 vendeve anëtare janë të shqetësuar se cili do të jetë qëndrimi i Trump për të famshmin artikullin 5 të traktatit themelues të organizatës, që i siguron mbrojtje të përbashkët seicilit nga vendet pjesëtare. Ata presin me shqetësim edhe faktin se sa i rreptë dhe çfarë reagimi do të ketë kreu i shtëpisë së bardhë lidhur me kriterin se çdo vend duhet të paguajë 2% të buxhetit për NATO-n. Ai është shprehur gjatë fushatës se Amerika nuk ka më ndërmend të paguajë për mbrojtjen e vendeve të tjera. Por në këtë samit ku do të marrin pjesë krerët e shteteve,apo krerët e qeverive të vendeve anëtare të NATO, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili ka qenë në takimin e mbajtur në Bruksel me liderët e Ballkanit. Kjo do të jetë hera e parë që kreu i qeverisë shqiptare Rama do të gjendet në të njëjtën tryezë me presidentin Amerikan, pasi e ka quajtur atë fatkeqësi për globin dhe një kërcënim për vendin tonë. Lapsi.al shkruan se “pas këtyre deklaratave dhe fitores së Trump, Rama e korigjoi shënjestrën e tij. Ai gjeti argumentin foshnjor se ai kishte folur kundër kandidatit dhe jo kundër presidentit. Më pas ai loboi pranë biznesmenëve me influencë në ShBA për t’i përmirësuar marëdhëniet me administratën e re”. Duke ju referuar sërish artikullit të shkruar në faqen e Lapsi.al thuhet se “madje ai ka bërë kohët e fundit edhe përçapje diplomatike për të testuar nëse Trump do të refuzojë t’i japë dorën gjatë takimit të 25 majit në Bruksel. Madje burime të sigurta bëjnë të ditur për Lapsi.al se ai i ka thënë një diplomati amerikan: “Nëse presidenti juaj e refuzon dorështrëngimin me mua, unë më mirë mos nisem drejt Brukselit”. Gjithsesi Trump do të jetë nesër për herë të parë në një mbledhje të 28-shes cila është më tepër formale dhe nga e cila nuk priten vendime të mëdha. Analistët e huaj shkruajnë se “Skepticizmi i zotit Trump për vlerën e NATO-s duket se rrjedh edhe nga besimi që ai ka se Rusia nuk është një kërcënim për Evropën, se evropianët nuk bënë aq sa duhet për të luftuar terrorizmin dhe se aleanca po bënte një barrë të padrejtë financiare ndaj Shteteve të Bashkuara”. Edhe pse Trump ka pranuar se NATO po përmirëson përpjekjet e saj kundër terrorizmit, ai po kërkon plane "kombëtare" të dakorduara për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga disa prej vendeve më të pabindura. Analistët thonë se udhëheqësit evropianë përveç angazhimit të mirëpritur për marrjen e masave për mbrojtjen e ndërsjelltë shprehen privatisht se sipas gjasave Shtëpia Bardhë do të mbajë një politikë të jashtme kapriçoze bazuar në mashtrime taktike dhe jo në një strategji koherente globale.

Article Logic
Execution time: 0.0037910938262939