Nesër, me 11 shtator do të fillojë sezoni shkollor për arsimin parauniversitar. Duke parë disa herë luhatjet e motit, fatmirësisht nesër paradite fëmijëve dhe prindërve që i shoqërojnë nuk do t’u duhet të marrin çadrat me vete.
Mirëpo surprizat janë rezervuar për pjesën tjetër të ditës.
Sipas Meteoalb, pjesa e parë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe temperatura të larta deri në mesditë kur shfaqen vranësirat e para në vend.
Pas mesditës një sistem me vranësira vendoset mbi territor duke gjeneruar rrebeshe shiu fillimisht në ultësirën perëndimore dhe gradualisht në të gjithë vendin. Kryesisht me vranësira e shira mbeten mbrëmja dhe orët e natës duke përfshirë edhe mëngjesin e së martës.
SOT temperaturat në rang vendi kanë shënuar minimalisht 10°C në zonat verilindore ndërsa maksimumi ka shënuar 31°C në zonën e Myzeqesë. E hëna, sjell rritje të lehtë në temperaturat e mëngjesit por një rritje me 3 – 4°C sjell mesdita duke bërë që maksimumi në rang vendi të ngjitet mbi 34°C në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Gjirokastër.