Ndeshja që vlen sa një titull!
Kryesfida e javës, një ndër ndeshjet më të rëndësishme midis dy ekipeve kryesuese, Kukësit dhe Partizanit do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bazë të planit të masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në këtë aktivitet sportiv, njofton të gjithë sportdashësit se gjatë hyrjes në Stadium do të jetë i nevojshëm mjeti i identifikimit, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të hynë pa u shoqëruar nga prindërit.
Në hyrje të Stadiumit do të ketë kontrolle të imtësishme ndaj çdo shtetasi, për çakmak, çelësa si dhe sende të tjera që nuk lejohen në brendësi të Stadiumit.
Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore (momenti i kalimit të tifozërive).
Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 – 22:00, janë:
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 15:00 – 16:00, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Partizanit”, janë:
Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.
Për të gjitha ata shtetas, të cilët do të kryejnë veprime të dhunshme, do hedhin sende në drejtim të fushës, apo do përdorin lëndë piroteknike, si dhe çdo veprim tjetër në cënim të mbarëvajtjes së ndeshjes, do të ketë sanksione ligjore ndaj tyre.
Policia e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të segmenteve të lartë përmendura duke ju kërkuar evitimin e lëvizjeve me automjete në oraret e lartpërmendura.