INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nevojiten masa URGJENTE për dhunën! Shoqatat apel për drejtuesit më të lartë të shtetit

Nevojiten masa URGJENTE për dhunën! Shoqatat apel për drejtuesit më të lartë të shtetit

Publikuar më: 09:28 23-01-2018

41 organizata në mbrojte të të drejtave të njeriut pas ngjarjes së rëndë të së djelës, ku u vra mizërisht 21 vjeçarja nga Fieri kanë hartuar një letër të hapur për drejtuesit më të lartë të shtetit.
Në letër shkruhet se ky ishte një tjetër lajm tronditës për gratë dhe vajzat në shoqërinë shqiptare, pasi dhe vajza 21 vjeçare, studente në vitin e tretë në Fakultetin e Drejtësisë, Ariela Murati, humbi jetën nga dhuna. E kjo sipas drejtuesve të organziatave është një histori e përsëritur e krimit ndaj vajzave. E këtu kujtojnë dhe raste të ngjashme: “Paola Bisha, një tjetër 21 vjeçare u vra për të njëjtën arsye në qytetin e Vlorës në vitin 2015. Një tentative vrasjeje u krye ndaj një të miture 14 vjeç nga kushëriri i saj, disa ditë më parë.”
Në këto kushte shoqatat shtojnë se këto ngjarje tregojnë se sa e nevojshme është marrja e masave urgjente, me qëllim rritjen e raportimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format që ajo paraqitet, duke përfshirë edhe kërcënimet për kryerjen e këtyre akteve, si në jetën publike, ashtu edhe private.
Në komunikatë mes të tjersh shkuhet se: “Masa urgjente nevojiten edhe për ndërgjegjësimin e shtetasve. Askush nuk ka të drejtë të konsiderojë vajzat dhe gratë si pronë të tyre. Refuzimi nga vajzat dhe gratë për të qenë në një marrëdhënie dashurie, bashkëjetese a martese ose e drejta për të ndërprerë këto marrëdhënie janë shprehje e lirisë së personit dhe duhet të respektohen nga kushdoqoftë.”

Po kështu anëtarët e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me bazë Gjinore bëjnë këtë thirrje:
•    Së pari, është e nevojshme rishikimi i legjislacionit të brendshëm, me qëllim që të parashikohen masa urgjente mbrojtjeje, jo vetëm në rastet e dhunës në familje, por edhe në rastin e formave të tjera të dhunës ndaj grave. Kjo është një kërkesë edhe e nenit 53 të Konventës së Këshillit të Evropës “Për Parandalimin dhe Luftën e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje” dhe Raportit të GREVIO-s për Shqipërinë, të cilat kërkojnë nga autoritetet që urdhrat me karakter shtrëngues dhe mbrojtës të jenë të vlefshme për viktimat e të gjitha formave të dhunës.
•    Së dyti, institucionet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor duhet të ndërmarrin veprime të koordinuara për çrrënjosjen e qëndrimeve dhe sterotipeve shoqërore që justifikojnë dhunën me bazë gjinore.
•    Së treti, masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, në zbatim të legjislacionit kundër dhunës me bazë gjinore, u ka munguar koordinimi, për rrjedhojë në mjaft raste nuk kanë qenë efektive. Këto institucione, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile të marrin masa efektive dhe të koordinuara për rritjen e ndërgjegjësimit, parandalimin, mbrojtjen nga dhuna si edhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore në të gjitha format e saj.
•    Së katërti, ne organizatat e shoqërisë civile bëjmë thirrje që, çdo vajzë dhe grua që ndihet e frikësuar, e kërcënuar, e dhunuar në jetën private dhe publike, të denoncojë pa frikë rastet e kërcënimeve dhe të dhunës, duke u drejtuar pranë organeve të policisë dhe Organizatave Jo Fitimprurëse që ofrojnë këto shërbime. Nga ana e tyre, organet e policisë ka nevojë të përgatiten më mirë që të trajtojnë drejt çdo rast kërcënimi dhe të vlerësojnë më mirë rrezikun që mund të vijë prej tyre, me qëllim parandalimin e dhunës ekstreme.
•    Së pesti, institucionet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor në bashkëpunim me OJF aktive në fushën e dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore duhet të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese që ndihmojnë në parandalimin e këtyre rasteve ekstreme. Media mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, duke mos i raportuar këto si krime pasioni, por krime me bazë gjinore.
•    "Rrjeti i monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore" i përbërë nga organizata jofitimprurëse aktive në fushën e barazisë gjinore, dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje do të angazhohet çdo ditë për të mos pasur Arielën, Paolën, Liljanën, apo një viktimë tjetër të radhës.Ky rrjet do të përshkallëzojë hapat e mëtejshme ndaj këtij fenomeni, me masa konkrete në bashkëpunim me të gjithë aktorët përgjegjës,autoritetet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, Kuvendin dhe institucione të tjera!

Article Logic
Execution time: 0.0037729740142822