Në një intervistë për median angleze "Daily Express", Noizy është rrëfyer mbi jetën e tij dhe të shumë të pathëna. Nga arratisja nga lufta civile në Shqipëri për të jetuar në Londër ku formoi OTR, deri te arritja e majave si një nga yjet më të mëdhenj të Ballkanit, reperi shqiptar foli gjerë e gjatë me Zak Garner-Purkis.
Duke folur mbi jetën në Angli, Noizy tregoi se si krijimi i grupit OTR erdhi si nevojë e adoleshentëve shqiptarë për t’u mbrojtur nga bullizimi, sherret në rrugë dhe më pas problemet me bandat e tjera të reperëve shqiptarë.
“Vinim nga një situatë e vështirë. Gjatë gjithë vitit kam dëgjuar të shtëna dhe granata (viti 1997). Fëmijët mund të gjenin armë dhe plumba në shkurre. Kishte kudo lajme të tmerrshme. Nuk kishte armë dhe granata në tokë, por Londra e Jugut nuk ishte e sigurt. Kisha frikë të shkoja në shtëpi nga shkolla pa u ndaluar nga bandat që përpiqeshin të të grabitnin këpucët e mia ose varsen që mora për ditëlindjen time. Nëse u ktheheshe, do të lëndoheshe shumë keq”.
Një djalë i turpshëm që nuk fliste anglisht, Noizy rrëfeu se fëmijët e tjerë kishin një problem me praninë e tij, duke e bullizuar sepse ishte emigrant.
“Mos u ul këtu se je refugjat, kthehu në vendin tënd, ne nuk të duam këtu”, i thanë ata kur ai u përpoq të bashkohej me tavolinën e tyre me tabakanë e drekës në shkollë. Përballë kësaj armiqësie, Noizy pretendon se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të zhvillonte një pamje të jashtme më të ashpër dhe më të fortë.
“E vetmja mënyrë për të mbijetuar në Angli është të jesh i fortë. E vërteta e trishtueshme është se ka kaq shumë kultura dhe raca që është pothuajse e pamundur të bëhen një. E vetmja mënyrë është të jesh më i forti, atëherë askush nuk do të ngatërrohet me ty. Kështu gjeta paqen. Ne ishim grupi i parë shqiptar, i formuar në vitin 2001, ishim vetëm 10 veta në fillim, të gjithë boksierë. Grupi bëhej gjithnjë e më i madh sa më shumë [njerëz vinin nga Shqipëria]. Unë isha udhëheqësi sepse kisha ardhur në moshën 10 vjeç dhe mësova gjërat e vogla që ishin të rëndësishme; si të visheni, të flisni dhe të jesh më “britanik”. Unë u thashë atyre, nëse nuk dëshironi të mundeni në sherre, ne duhet të qëndrojmë së bashku. Shkoni provoni të ecni vetëm rrugës për në shtëpi dhe shikoni se çfarë ndodh me ju. Do të grabitesh, do të goditesh me thikë dhe do të ndjekin. Ne ishim në “ride or die” sepse megjithëse ishim më të shumtë në numër në krahasim me grupet e tjera, ne nuk iknim nga askush. Kështu u bëmë të paprekshëm. Unë nuk e mbështesë dhunën. Nuk besoj se dy gabime e bëjnë një veprim të drejtë, por ka kaq shumë që njeriu mund të mësojë. Të gjithë e dimë se sa të ashpra mund të bëhen rrugët në Angli, veçanërisht në Londrën Juglindore në vitet 1990-2000. Unë nuk jam engjëll, ndoshta kam bërë gjëra që ishin të gabuara. Por kur rritesh në një vend ku dëgjon gjithmonë grindje dhe goditje me thikë kjo ndikon tek ty.”
Edhe në rrugët e vështira të Londrës së Jugut, “OTR” fitoi një reputacion. Një artikull i vitit 2010 në Daily Mail pretendonte se banda ishte vendosur në listën e vëzhgimit të policisë pas videove në internet të anëtarëve që pozonin me armë të postuara në internet. Ata u bënë edhe shënjestër e grupeve rivale të shqiptarëve që ishin vendosur në Britaninë e Madhe. Rivali më i madh është Hellbanianz i Londrës Lindore, të cilët kërcënojnë rregullisht OTR-në dhe Noizyn në këngët rap.
Një grup i njohur për shtypin britanik, Hellbanianz shkaktoi bujë kur nxori në rrugë një tank në një pronë të këshillit Barking vitin e kaluar. Megjithatë, kur e pyetën për grindjen e supozuar, Noizy sqaroi:
“Ata djemtë janë të rinj. Unë e them pa mungesë respekti se ata u krijuan pas nesh. OTR ishte grupi i parë. Shpresoj që ata t’ia dalin në muzikë dhe të largohen nga të gjitha çmenduritë, sepse kam parë që janë përfshirë në disa krime. Thjesht shpresoj që dikush më i madh nga grupi i tyre t’u thotë se “nuk ka asgjë të bukur në atë mënyrë jetese”.
Reperi është pyetur edhe për përplasjen me Babastars në vitin 2016, në Kosovë. Një incident që ai e përshkruan si “sherr i vjetër” që u përshkallëzua”, ndërsa në dy raste vitin e kaluar, bizneset që ai zotëronte ishin objektiva të sulmeve të dyshuara për zjarrvënie.
Problemi, pranon ai, është se është e vështirë të nënshtrohet instinkti për t’u kundërpërgjigjur që ai mësoi në rrugët e Londrës Jugore.
“Ata nuk e kuptuan se unë vija nga një xhungël në Angli. Konfliktet që kam pasur nuk përfunduan mirë për [reperët e tjerë].”
I pyetur nëse këto e kishn bërë të ruhej apo e kishin shqetësuar për daljet, Noizy u përgjigj:
“Unë kam jetuar shumë mirë dhe shumë i sigurt për një kohë të gjatë. Derisa dolën disa maniakë në TikTok. As nuk dua të flas për të. Por njerëzit e dinë saktësisht se për çfarë po flas.”