INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nga e premtja Serbia  njeh diplomat e Kosovës

Nga e premtja Serbia njeh diplomat e Kosovës

Publikuar më: 13:51 30-03-2016

Duke nisur që nga dita e premte (1 prill), Serbia pritet që t’i njohë të gjitha diplomat që nga niveli fillor deri tek ai i doktoraturës, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ky lajm është konfirmuar nga vetë këshilltarja e Ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Arjeta Rexhaj. Sipas saj, nga negociatat e fundit në Bruksel të zhvilluara para një jave lidhur me këtë çështje, është arritur që marrëveshjet e realizuara gjatë pesë viteve të fundit lidhur me njohjen e diplomave, të fillojnë së zbatuari nga një prilli 2016. Po ashtu, Rexhaj ka thënë se duke filluar nga data 1 prill 2016, brenda tre muajve do të njihen edhe të gjitha diplomat që nuk janë njohur prej pesë vitesh.

“Më 1 prill 2016 fillon zbatimi i marrëveshjes së diplomave. Serbia ka dështuar në zbatimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave universitare për më shumë se pesë vjet që nga arritja e marrëveshjes më 2011. Një marrëveshje e re është arritur më 29 shtator 2015, e bazuar në atë të vitit 2011 dhe e zgjeruar për të përfshirë njohjen e të gjitha diplomave që nga shkolla fillore deri në doktorata. Në vend të zbatimit, Serbia përsëri ka kontestuar disa pjesë të saj me tendenca politike, mirëpo pala e Kosovës ka refuzuar kategorikisht ndryshimet e propozuara. Pas heqjes dorë të kërkesave nga ana e Serbisë, më 19 janar 2016 është arritur rikonfirmim i marrëveshjes së 29 shtatorit 2015. Më 1 prill fillon zbatimi i marrëveshjes, ndërsa diplomat që janë në pritje të njohjes që prej pesë vitesh, do të njihen brenda tre muajsh”, ka thënë Rexhaj nëpërmes adresës elektronike. Ndërkohë, i pyetur lidhur me këtë çështje ditë më parë, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se kjo çështje i takon pikërisht zëvendësministres Edita Tahiri.

Article Logic
Execution time: 0.0038449764251709