Mbrëmja e "DWTS" dje na ka dhuruar mjaft emocione, falë rrëfimeve të ndjera të personazheve, por edhe nga tregime të sinqerta si ai i Bora Zemanit, e cila ka folur me detaje në lidhje me këtë vit, nga më të rëndësishmit në jetën e saj, për filmin "5 Herë Jo" dhe planet për martesë me Donaldin.
Moderatorja ndër të tjera për këtë vit tha:
“Më duket sikur kryefjala e këtij viti ka qenë vetëm “nuk kam kohë”. Patjetër që projekti më i rëndësishëm për mua gjatë këtij viti ka qenë filmi “5 Herë Jo”, që ishte një eksperiencë shumë e bukur si aktore, por edhe një rol shumë i rëndësishëm si producente”.
Për Borën dhe Donaldin, kjo eksperiencë ka kaluar me jo pak sakrifica dhe vështirësi, pasi orët e xhirimeve zgjasnin shumë, madje ndonjëherë i duhej të zgjoheshin edhe në 3 të mëngjesit dhe duhej të xhironin për më shumë se 12 orë, megjithatë ka ndikuar mjaft pozitivisht në lidhjen e tyre:
“Mendoj se ky projekt na ka rritur edhe më shumë të dyve bashkë dhe ky vit, aq më tepër, e ka konsoliduar më shumë marrëdhënien tonë”.
Sa i takon vështirësive para kamerave, ajo tha se ata duhet të puthen “me detyrim” në film dhe kjo ishte jo e lehtë sepse puthjet e tyre vinin shumë të ndjera, ndërkohë tha me shaka: "5 herë jo i them Donaldit në film, por në këto 5 vite që njihemi me njëri-tjetrin, ndoshta ka pasur edhe 500 jo. Jo vetëm nga unë, po e zbus pak. Shpresoj që nga ky film e mbrapa, të themi vetëm “po”."
Nga ana tjetër, sa i takon planeve të shumëpërfolura për martesë tha:
“Përflitet martesa për ne të dy, por unë nuk e shoh si një gjë kaq të rëndësishme, sepse nuk përbën ndonjë ndryshim shumë të madh në jetën time. Ne jetojmë bashkë, ne e shijojmë marrëdhënien tonë në të gjitha drejtimet, kështu që nuk do të ndryshonte diçka në raportin tonë”.
Gjithsesi, do të ketë dasëm ose jo, ata e realizuan "kërcimin e dasmës" mbrëmjen e djeshme në skenën e "DWTS".