INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ngjarja në Bularat, Berisha: Po përdoret politikisht; Rama: Reagim pisllëk

Ngjarja në Bularat, Berisha: Po përdoret politikisht; Rama: Reagim pisllëk

Publikuar më: 17:20 29-10-2018

Ngjarja e Bularatit, ku mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, Kostandinos Kaçifa, i cili më parë kishte sulmuar policinë lokale, ka trazuar “ujërat” edhe në politikë, teksa nuk ka munguar retorika.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ngushëllon familjarët e 35-vjeçarit, por thekson se policia ka vepruar drejtë duke iu përgjigjur një akti ekstremist nga ana e Kaçifës.

“Dje një banor i Bularatit, anëtar ne forcat e armatosura te Greqisë ka hapur zjarr për motive ekstremiste edhe ndaj policisë. Natyrisht ne çdo rast qe hapet zjarr drejt policisë kësaj te fundit i lind e drejta ligjore te neutralizoj burimin e zjarrit. Kur them te neutralizoje nënkuptoj me këtë dorëzimin e kriminelit qe hap zjarr, plagosjen e tij dhe se fundi edhe asgjësimin e tij kur dy te parat janë ta pamundura. Pavarësisht aktit te dënueshëm qe vuri ne rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushëllime njerëzore familjes se viktimës”, shkruan Berisha në Facebook.

Më tej kryeministri ndalet tek ajo që e quan “politizim” i rastit nga të dy shtete dhe e dënon mënyrën sesi Athina dhe Tirana zyrtare po e trajtojnë vrasjen e 35-vjeçarit.

“Duke dënuar disa reagime zyrtare te Athinës por edhe te Tiranës, qe duan te përdorin rastin për qëllime politike. Konsideroj të nevojshëm një hetim të plotë dhe transparent të kësaj ngjarje. Me këtë rast bëj thirrje për ndërprerjen e histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj antigreke në Tiranë, që nuk i shërbejnë as te vërtetës dhe as bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona!”, shprehet Berisha.

Por, nuk ka vonuar shumë dhe për këtë reagim të Berishës, ka ardhur një kundër-cicërimë në Twitter nga pasardhësi i tij në Kryeministri, Edi Rama.

Kreu i ekzekutivit shkruan se “deklarata e SB për Bularatin është një pisllëk që mund ta bëjë vetëm një materie e biodegraduar deri në palcë”.

Sipas Ramës gjithçka që ish-kryeministri thotë, duket të ketë kontekst negativ aq sa meriton “pullën e kuqe” të ndalimit.
“Sa shumë i dha Shqipëria këtij njeriu që do iki nga kjo botë pa lënë pas qoftë dhe një fjali për t’ua treguar fëmijëve apo një fjalim ku të mos duhet sinjali kujdes fëmijët”, nënvizon Rama.

Article Logic
Execution time: 0.0036990642547607