Një ngjarje e rëndë tronditi mesditën e sotme Kavajën, ku gjatë përplasjes së disa të rinjve humbi jetën një person ndërsa u plagosën 5 të tjerë.
Sipas policisë, rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi Ramazan Hasalliu, (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, Marius Aliu dhe Denis Aliu.
Marius Aliu, autori i dyshuar, mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, Denis Aliu dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.
Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.