Një grua e moshuar është gjetur e pajetë këtë mbrëmje në banesën e saj në Berzhitë. Ajo është gjetur e lidhur këmbë e duar, dhe dyshimet paraprake janë se mund të këtë rënë pre e grabitësve. E moshuara jetonte e vetme.
Njoftimi i Policisë:
Në numrin e Emergjencave 112 të sallës operative Tiranë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Mihajas të Njësisë Administrative Bërzhitë, në banesën e saj është gjetur e vdekur shtetasja F. H ,74 vjeçe.
Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe shkoi në vendngjarje.
Nga kqyrja paraprake e kufomës dyshohet se e moshuara është lidhur këmbë e duar dhe dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë si pasojë e bllokimit të rrugëve respiratore.
Nga informacionet e marra kjo shtetase jetonte e vetme (e ve).
Kufoma do të dërgohet pranë IML për kryerjen e autopsisë nga mjeku ligjor. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.