INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nis ndërtimi i bulevardit të ri në Kashar

Nis ndërtimi i bulevardit të ri në Kashar

Publikuar më: 10:54 05-08-2018

Krahas Bulevardit të Ri te ish-stacionit të Trenit, edhe zona e Kasharit do të ketë shumë shpejt një bulevard që do të lidhë Unazën e Tiranës së Re me rrugën “Tre Dëshmorët e Kombit”, duke rigjallëruar gjithë zonën, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ajo sociale. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e dy rrugëve “Migjeni” dhe “Kadri Roshi”, që do të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme nëntokësore, trotuare, ndriçim dhe sinjalistikë.

Duke ndjekur nga afër punimet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se falë reformës territoriale, tashmë edhe zona si Kashari po njohin investime cilësore. “Deri para 3 vitesh, kjo ishte një zonë fshati, quhej Kashar, ndërkohë që realiteti ishte krejt ndryshe. Në letrat e bashkisë, kjo ishte një zonë me vetëm 7 mijë banorë, ndërkohë në realitet këtu jetojnë mbi 70 mijë banorë. Të njëjtin bulevard që shohim në qendër të Tiranës, pra bulevardi me 6 korsi, 2 për makinat nga secili krah dhe nga një autobusi në secilin krah, plus biçikletat, të njëjtën cilësi dhe standard do të kemi edhe këtu në Kashar”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se ndryshimi që po ndodh në shumë zona të kryeqytetit është pasojë e ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në çdo lagje. Veliaj theksoi se ashtu si po ndërhyhet për të ndërtuar Rr. “Kadri Roshi” në Kashar, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Teatrin e ri Kombëtar, për t’i dhënë kryeqytetit një godinë dinjitoze. “Fabula që përfshihet në një emër si ai i të madhit Kadri Roshi përfshin në fakt edhe të gjithë punën që bëjmë në Bashkinë e Tiranës. Duke vënë dorë, gjërat përmirësohen, duke i lënë për nostalgji, gjërat degradohen. Po punojmë edhe në rrugën “Kadri Roshi”. Jam i sigurt se mund të ketë njerëz që për nostalgji thonë se rruga e aktorit të madh s’duhet të preket. Sot është në fakt një rrugicë, si monopat. Duke e kthyer në rrugë me standarde i bëjmë nder edhe emrit të Kadri Roshit. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin. Nëse nuk vëmë dorë është e kotë të ‘krenohemi’ për artistët e mëdhenj, nëse nuk arrijmë të çojmë amanetin e tyre deri në fund, për një qytet dinjitoz, për një teatër dinjitoz, për varreza dinjitoze apo për rrugë dinjitoze, që mbajnë emrat e tyre”, tha Veliaj.

Bulevardi “Migjeni” do të lidhet me një rrjet rrugësh, të cilat kanë nisur të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku siguroi se urbanizimi do të prekë edhe ato zona të cilat si pasojë e keqadministrimit nga ish-komunat kanë mungesa në infrastrukturë. “Kemi disa realitete që bashkëjetojnë në Tiranë. Tek zona e Trenit kemi bulevard pa qytet, kurse te zona e Kasharit kemi qytet pa bulevard; ndaj është koha që atje ku është bulevardi, të vijë edhe qyteti, dhe KKT-ja sapo ka miratuar planin e madh të bulevardit. Ndërkohë, këtu ku kemi qytet pa bulevard, t’i ofrohet infrastruktura e shërbimeve. Jam shumë i lumtur që kemi mbërritur në këtë ditë, ku po ndërtojmë bulevard në Kashar, dhe në njëfarë mënyre rikuperojmë defektet të urbanistikës së kaluar, nga koha e ish-komunës”, tha ai, teksa nënvizoi se investimet e reja do të rrisin edhe vlerën e pronës së qytetarëve dhe të bizneseve.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Bashkia po shfrytëzon periudhën e verës për të ecur me shpejtësi në projektet e nisura për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

Article Logic
Execution time: 0.0037639141082764