Një aktivitet që nuk duhet humbur mbahet nesër për miqtë e kafshëve shtëpiake. Bashkia Tiranë rikthen panairin “PET FAIR”, pas suksesit që korri gjatë Edicionit të Parë. Green Line Albania në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit organizojnë në 22 Prill 2018 në Kopshtin Zoologjik aktivitetin do të vlerësohen me çmime disa nga qenushët. Qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit të komunitetit, veçanërisht fëmijëve, për mbrojtjen, kujdesin, trajtimin e duhur, gjë që synon të sjellë uljen e numrit të kafshëve të braktisura. Aktiviteti nis në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00 të pasdites. Ai pritet të mbledhë së bashku partnerë, organizata të ndryshme, profesionistë, subjekte private, individë e dashamirës që kanë interes dhe janë pjesë aktiv në çështjet e mirëqenies së kafshëve. Përgjatë gjithë ditës në “Pet Fair –
Panairi i Kafshëve Shtëpiake”, do të zhvillohen aktivitete të shumta argëtuese dhe edukuese. Në orën 11:00 do të ketë demonstrime nga qenushë të stërvitur, ndërsa 2 orë më pas do të nisin tre konkurset ku një juri e pavarur do të bëjë vlerësimin dhe shpalljen e çmimeve fituese për secilën kategori:
a) "Qeni më i Zgjuar" do të përzgjidhet ai qenush i cili tregon zgjuarsi, besnikëri dhe ju bindet komandave.
b) “Qeni më i Bukur” do të përzgjidhet ai qenush që ka gradë Pedigree më të lartë.
c) “Veshja më Trendy” do të përzgjidhet veshja e stiluar nga vetë ju për qenushin tuaj.