INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nis qarkullimi i makinave në Unazën e Madhe të Tiranës. Veliaj dhe Majko hapin segmentin e rëndësishëm rrugor

Nis qarkullimi i makinave në Unazën e Madhe të Tiranës. Veliaj dhe Majko hapin segmentin e rëndësishëm rrugor

Publikuar më: 13:48 09-09-2017

Bashkia e Tiranës hapi sot për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes. Bashkia mbajti premtim për ta hapur unazën përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2017-2018. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, përuroi segmentin duke hequr në mënyrë simbolike barrierat kufizuese duke i hapur kështu rrugë qarkullimit të automjeteve. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin këtë segment të ri, çka ul qarkullimin e automjeteve në qendër të Tiranës. “Jam shumë i lumtur që sot mori fund një agoni shumëvjeçare në Njësinë 5. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë, që nëse hyjnë nga autostrada e Durrësit në drejtim Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, të mos futen më në Tiranë, pasi mjafton të përdorin këtë segment të Unazës së Madhe për të dalë në Farkë e për të vazhduar me autostradën Tiranë-Elbasan. Anasjelltas, kush vjen nga juglindja drejt veriut e këshilloj të mos kalojë nga Rruga e Elbasanit, por të përdorë sërish këtë by-pass për të dalë menjëherë në autostradën tjetër”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e qeverisë shqiptare dhe e Bashkisë së Tiranës për hapjen e këtij segmenti tepër të rëndësishëm të Unazës së Madhe përpara fillimit të vitit të ri shkollor. Veliaj theksoi se do të përfundohen punimet edhe në segmentet e tjera të Tiranës pasi burokracitë me shpronësimet dhe proceset gjyqësore do të marrin zgjidhje nga qeveria e re. Deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi hapjen e segmentit të ri të Unazës së Madhe një ditë të shënuar. “Sot jemi në një ditë të shënuar, ditë e shumëpritur nga gjithë komuniteti. Mendoj se është një nga arteriet më të rëndësishme të Tiranës dhe nga pikëpamja e veprave që janë kryer pas zgjedhjeve të fundit të Bashkisë, nuk gaboj të them që pas Bulevardit të Ri, kjo arterie është e dyta më e rëndësishme që Tirana dhe qytetarët e Tiranës do ta gëzojnë”, tha Majko. Segmenti i përfunduar Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është me një gjatësi prej 2.1 km, është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara.

Article Logic
Execution time: 0.0020489692687988