Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka nisur shitja e biletave për ndeshjen Shqipëri-Izrael, e cila do të luhet në datën 12 Nëntor, Ora 20:45 në Stadiumin “Loro Boriçi”, të qytetit të Shkodrës.
Tashmë tifozët shqiptarë që duan të pajisen me bileta për sfidën e radhës për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, e kanë këtë mundësi nëpërmjet ëebsitit te FSHF-së, bileta.fshf.org. Federata lajmëroi se në shitje do të jenë të gjitha tribunat e stadiumit, ndërsa çmimet mbeten të pandryshuara nga dy sfidat e mëparshme që Kombëtarja ka luajtur në shtëpi.
Duke nisur nga 1,000 lekë të reja, që është çmimi më i ulët për tribunat mbrapa portave, për të vazhduar me biletat me vlerë 1,500 lekë. Në tribunën D1 dhe D4 një vend kushton 2,000 lekë, ndërsa në tribunat D2 dhe D3 çmimet janë 3,000 lekë të reja. Në treg janë hedhur edhe bileta në tribunat qendrore A dhe B, të cilat kushtojnë 8,000 lekë të reja dhe në tribunën VIP, që kushtojnë 18,000 lekë.