Tentuan të dërgojnë ilegalisht në Francë një vajzë të re për të prostituar. Ajo që bën habi është se pjesë e grupit ishte dhe një punonjëse e Rinasit. Mësohet se Policia e Tiranës në bashkëpunim me SH.Ç.B.A kanë arrestuar 3 persona, mes tyre edhe një punonjëse të Policisë Kufitare Rinas.
Arrestimi i tyre është bërë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës një 26-vjeçare me qëllim shfrytëzimi për prostitucion.
Policia njofton se në pranga kanë rënë, A.K, 29 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, A. Ç, 26 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd.
Po në kuadër të këtij operacioni në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetases F. K., 30 vjeçe, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë. Po kështu është shpallur në kërkim edhe personi që do e shfrytëzonte të renë në Francë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës me qëllim shfrytëzimi për prostitucion një shtetase 26-vjeçare, të cilën do ta priste në Francë shtetasi K. B., 33 vjeç, pasi ky shtetas dyshohet se do të shfrytëzonte për prostitucion.
Shtetasi K.B, është shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë Franceze po punohet për kapjen e tij.
Kjo shtetase dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit dyshohet të ketë ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për shtetasen 26-vjeçare.