Kjo e hënë shënon dhe nisjen e punimeve të Kuvendit. Sot në orën 17:00 do të hapet sesioni i ri i Kuvendit, ndërsa kampet politike i nisën përgatitjet që në orët e para të ditës. Partia Socialiste ka mbledhur në 9 të mëngjesit Kryesinë e Partisë, ku përveç diskutimeve për sesionin e ri do të diskutojë dhe rendin e ditës për Asamblenë që mbahet të premten e 6 shtatorit, ku do të analizohet performanca e qeverisë.
Ndërsa PD do të zhvillojë një takim me aleatët dhe grupin parlamentar. Në orën 12:00, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi do të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për të diskutuar punën dhe kalendarin 3 javor.
Konferenca e Kryetarëve do të rikthejë debatin për Teatrin e ri Kombëtar, ku në bazë të programit me 13 shtator parashikohet që dekreti i Presidentit të kalojë për votim në seancën plenare.
Ky moment pritet të tensionojë marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, ndërsa Lulzim Basha disa ditë më parë vendosi vijën e kuqe, duke paralajmëruar prerë PS se në qoftëse e rikalon ligjin për Teatrin do të sjellë përplasje civile.