INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nisin punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit në rrugën “Mihal Grameno - Ali Visha”

Nisin punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit në rrugën “Mihal Grameno - Ali Visha”

Publikuar më: 14:54 02-05-2017

Furnizimi me ujë të pijshëm për rreth 300 mijë banorë të kryeqytetit po merr zgjidhje. Pas zëvendësimit të linjës kryesore të ujësjellësit në zonën e pedonales, pranë Parlamentit deri te rruga “Todi Shkurti”, Bashkia e Tiranës ka nisur pjesën e dytë të investimit për zëvendësimin e linjës kryesore që lidh këtë rrjet me tubacionin kryesor që kalon në rrugët “Ali Visha” dhe “Mihal Grameno”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, inspektoi fillimin e punimeve dhe theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për përmirësimin e furnizimit me ujë të kryeqytetit.

“Është një nga linjat kryesore që furnizon me ujë gjithë Tiranën. Është një investim i cili bëhet për të zëvendësuar tubacione që Tirana i ka pasur që nga viti 1958, kur këtu jetonin më pak se 100 mijë banorë, ndërkohë që sot ka 10-fishin e popullsisë. Kuptohet lehtë se këto tubacionet nuk ia dalin të furnizojnë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm, le pastaj të ofrojë shërbime”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës siguroi qytetarët se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga faturat e ujit të pijshëm shkojnë për më shumë investime në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. “Çdo qindarkë që paguhet për Ujësjellësin e Tiranës shkon për investime. Do të vijojmë me këtë investim gjatë gjithë verës pa ndërprerje, pavarësisht se ka zgjedhje, pavarësisht se ka pushime, pavarësisht temperaturave të larta, sepse gjykojmë se është shumë e rëndësishme që këtë projekt strategjik, i cili furnizon 300 mijë qytetarë të Tiranës me ujë, dy herë më shumë se sa ai që kishim, është i një rëndësie të veçantë”, u shpreh ai.

Me afrimin e stinës së verës, Veliaj u bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë. “Është një skenë e denjë për një dokumentar të vendeve më të pazhvilluara dalja me zorrë për të lagur rrugët me ujë të pijshëm. Kjo është anormale e nuk duhet të ndodhë më! Sigurisht që do të reagojmë me gjoba dhe disiplinimin e nevojshëm që uji i pijshëm, që mezi e sjellim në Tiranë, të mos shpërdorohet as nga lavazhi, as nga freskimi i rrugës”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë së Tiranës kërkoi prej qytetarëve që për çdo problematikë apo emergjencë të përdorin numrin e gjelbër 0800-44-88, ndërsa premtoi se do të vijojë puna për hapjen e pikave të reja të UKT-së për të afruar më shumë shërbimet me qytetarët. “Gjatë verës do të vijojmë me shpërndarjen në të gjithë territorin e Tiranës pikat e shërbimit për qytetarë, për të shmangur dyndjen që shkaktohet te zyra qendrore. Çdo qytetar do ta ketë në lagjen e vet shërbimin e ujësjellësit”, u shpreh kryebashkiaku.

Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza tha se miradministrimi nga Bashkia e Tiranës i taksave të qytetarëve ka sjellë një bum investimesh në të gjithë qytetin. “Bashkia e Tiranës nuk po hedh asfalt elektoral, por po bën ndërhyrje të thella. Unë do u bëja një thirrje të gjithë qytetarëve, një sensibilizim nga Njësia 2, që të jenë të kujdesshëm, të paguajnë faturat e ujit, pasi të gjithë këto taksa, Bashkia e Tiranës po ua kthen qytetarëve përsëri në të mirë të jetës së tyre, prindërve e fëmijëve të tyre”, u shpreh Gjoza.

Linjat aktuale në këtë zonë janë ndërtuar që në vitin 1958 dhe janë amortizuar plotësisht, duke sjellë mjaft humbje në rrjet e probleme me furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit. Tubacionet e linjës po ndërtohen sipas të gjitha standardeve, në mënyrë që të sigurohet jo thjesht një jetëgjatësi e sistemit, por edhe një rritje e konsiderueshme e furnizimit me ujë.

Article Logic
Execution time: 0.0032548904418945