Përpara Kryeministrisë tashmë masa të mëdha njerëzish janë mbledhur në protestën e 7-të kombëtare e thirrur nga opozita e vendit.
Siç është bërë traditë në këtë moment kanë filluar thirrjet e para “Rama Ik”, ndërsa pak më parë Intv.al raportoi edhe qiellin e mbushur me tullumbace ku i mbishkruajtur ishte i njëjti slogan.
Në protestë është vënë re edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Buajr Nishani.
Ndërkohë banorët e Astirit gjithashtu kanë nisur një marshim simbolik drejt kryeministrisë, duke e shoqëruar atë me shprehjen “Rama Ik”.
Ata kanë zgjedhur të mbajnë një uniformë të caktuar drejt këtij marshimi, i cili ka filluar që nga banesat e tyre dhe deri sa t’i bashkohen protestuesve në Kryeministri përgjatë gjithë Tiranës.
Prej kohësh, banorët e Astirit gjenden në një situatë kaotike në lidhje me projektin e “Unazës së Re”, i cili në planin e tij ka prishjen e disa objekteve dhe ndërtesave.