Të gjitha shkollat e Tiranës po riparohen nga Bashkia e Tiranës e po bëhen gati për të pritur nxënësit në Shtator. Krahas hapjes së shkollave të reja këtë vit, edhe ato ekzistuese pritet që t’i mirëpresin fëmijët e kryeqytetit me kushte shumë herë më të mira.
Në shkollën Partizani është bërë lyerja e godinës dhe riparimet e brendshme, ndërkohë edhe në shkollën “Myslym Keta” po punohet me intensitet duke riparuar dyert, sistemin elektrik si dhe sistemin e tualeteve.
Riparimeve këto kohë i janë nënshtruar edhe shkolla “28 Nëntori” si dhe “Kongresi i Lushnjës”, ku krahas riparimit të fasadës dhe ambienteve të brendshme, është rregulluar edhe tarraca.
Në kryeqytet ka marrë jetë projekti për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne.
Standardet për planifikimin e shkollave të reja kanë marrë parasysh numrin e shkollave në bazë të popullsisë, rrezen e mbulimit si dhe numrin e nxënësve për klasë.