Akademikë dhe intelekualë janë bërë bashkë për të penguar zhvillimin e zgjedhjve për pushtetin vendor më 30 qershor. Ata e dinë që i pret edhe penalizimi për të mos ikur jashtë vendit po duket se nuk duan t’ja dinë. Iniciatori i nismës “Edhe Unë” është mjeshtri i karikaturave, artisti Bujar Kapexhiu, që deklaroi se do të shkojë në qendrat e votimit, jo për të votuar por për të penguar.“Më 30 qershor unë do të shkoj në qendrën e votimit. Por do shkoj tu tregoj të tjerëve që të mos votojnë. Do ti pengoj ata në mënyrë që të dënohem 10 vjet që të mos shkoj jashtë shtetit. Kam vendosur të mos shkoj më jashtë shtetit”, ka thënë ai.
Kjo iniciativë e Kapexhiut është bërë virale dhe nga dita në ditë po merr mbështetje edhe nga shumë intelektualë të tjerë. Kundër votimeve doli edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.
“#EdheUnë nuk do të votoj më 30 qershor. Edhe unë, ashtu si Bujar Kapexhiu do të bëj gjithçka është në dorën time për t'i penguar këto votime fallco”, shkruan ai.
Kësaj nisme i është bashkuar dhe shkrimtarja Flutura Açka. “#Edhe unë nuk do të votoj sepse refuzoj të bëhem dorëzanë e rikthimit të diktaturës, sepse e refuzoj një regjim që i ndau, i përtalli, i vodhi shqiptarët, sepse refuzoj një sekt mavi që luan me të kuqen e flamurit tonë kur e ndjen neverinë tonë ndaj bojës së tij, sepse nuk ka burg që më mban më brenda para së drejtës sime”, shkruan shkrimtarja.
Nismës me hashtagun “Edhe Unë” i është bashkuar edhe analisti Fatos Lubonja, i cili thotë se, “unë dua zgjedhje, jo votime, refuzoj diktaturën”.
Kundër zgjedhjeve më 30 qershor është shprehur dhe aktori Neritan Liçaj, që bashkëngjitur hashtagut “Edhe unë”, shkruan se ai nuk do të lejojë që fëmijët e tij të kalojnë rinin në dikaturë.