Në konferencën jave dhe të fundit para nisjes së pushimeve 'Platforma e Bashkëqeverisjes' Rama ka dhënë disa projekte që do nisin në shtator, si zbatimi i reformës së bashkimit të institucioneve të pronës për të pasur një agjenci kombëtare të pronës.
“Sot dita e fundit e një viti intensiv qeverisës se nesër fillojnë pushimet për shumicën, dua të falënderoj kordinarorët që janë krenaria e administratës sonë publike.
Pavarësisht nga 2-3 javët e pushimeve zyra do vijojë të funksionojë se s’është si gjithë të tjerat, se sikundër është në xhepin e qytetarëve është në tavolinën e shtëpive ku ka një kompjuter, në zyrat që ofrojnë mundësi për të hyrë në kompjuter dhe në smartfonin e koordinatorëve dhe është punë që bëhet nga cdo pikë.
Të hapim një luftë frontale nga një e keqe e trashëguar, e keqja brenda zyrave të shërbimeve për qytetarët. Jam i vetëdijshëm që jemi ende larg por i siguroj të gjithë që ne do e arrijmë objektivin.
Kemi ende për të bërë për zvarritjet e titujve të pronësisë, në shtator jemi gati të lancojmë reformën për të cilën është punuar që në verën e shkuar pa u krijuar qeveria e re, reformën e bashkimit të institucioneve të pronës për të pasur një agjenci kombëtare të pronës që të mos shkosh te ALUIZNI ta marrësh e të shkosh te HIPOTEKA e s’ta jep.
Kjo reformë do jetë rrënjësore, do racionalizojë burimet njerëzore që kemi në këto institucione, do krijojë brenda këtij institucioni të ri një strukturë apeli që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë në gjykatë, do ulë kohën, mundimet e dëshpërimin që krijohet kur shkon në gjykatë”, tha Rama.