Pak muaj pasi qeveria Rama kishte ndaluar importin e të gjitha mbetjeve, një dokumentar i Journeyman.tv tregonte me fakte, me zë e figurë, se mbetjetjet në Shqipëri vazhdonin të futeshin, madje edhe ato të rrezikshmet. Dokumentari rreth 29 minuta titullohej “Vendi i Mbeturinave/ Si po bëhet Shqipëria mali i plehrave europiane”.
Gazetarët raportonin se megjithë ndalimin e importit nga qeveria Rama, ky aktivitet vazhdonte, kryesisht për letrën dhe skrapin. Faktet tregonin të kundërtën e asaj që thoshte kryeministri i Shqipërisë në mikrofonin e gazetarëve të huaj. Shqipëria, - thuhet në këtë dokumentar, - vazhdon të jetë e kërcënuar nga një katastrofë ekologjike dhe e rrezikon të bëhet mali i plehrave europiane.
Sot mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama ka dërguar në parlament një ligj të ri për plehrat, jo për të shtërnguar masat për të mos lënë që mbetjet e Europës të hyjnë në Shqipëri, por për ta legalizuar ardhjen e tyre. Një ligj që rrëzon të gjithë betejën që Edi Rama pati bërë kur ishte në opozitë, prej vitit 2010. Ky ligj e bën atë politikanin më të pavërtetë që ka parë Shqipëria.
Sot, më shumë se dje kur importi i plehrave ndalohej, Shqipëria është në rrezik nga plehrat dhe mafia e plehrave që duket se më në fund e gjeti rrugën e duhur për të depërtuar. Qindra mijëra tonelata plehra të vendeve të ndryshme të botës do të zbarkojnë në një vend, ku ashtu siç thoshte kryeministri Rama në fund të vitit 2013, e ka të pamundur të kontrollojë ruajtjen e standardeve dhe është më shumë se kurrë nën ndikimin e interesave të jashtëzakonshme financiare, që këtë herë lidhen me fatkeqësinë e shqiptarëve.
Këtë fakt e pranon edhe vetë mazhoranca, ndonëse në mënyrën më qesharake të mundshme. Duke vënë në dyshim aftësinë e autoriteteve shqiptare për të kontrolluar mbetjet po ashtu edhe besueshmërinë e Ramës ndaj publikut, LSI propozoi që grupe të shoqërisë civile të kontrollojnë mbetjet ne dogana.
Në shkrimin e publikuar në lapsi.al, propozimi, përveç se i tejkalon kufinjtë e marrëzisë për shkak se është e paimagjinueshme se si dhe me ç’mjete do t’i kontrollojë shoqëria civile qindra mijëra tonelata me plehra që vijnë nga jashtë, vë në lojë sa shqiptarët aq edhe kryeministrin. Ka vetëm një arsye për këtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç shprehej dikur Rama: Interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve në nevojë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve.