Ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Rusisë është e pafund e ndërsa ajo brenda fushës së blertë përfundoi në një barazim paqësor, jashtë saj po zhvillohet një luftë e vërtetë.
Huliganët rusë dhe ata anglezë njihen si tifozeritë më problematike me ngjarje sportive që përshkallëzojnë gjithmonë në dhunë dhe jo pak herë me jetë të humbura. Por duket se edhe pas zënkës “tradicionale” të ndeshjes, gjakrat nuk janë ulur, përkundrazi. Huliganët rusë jan ata që i fryjnë më shumë zjarrit dhe pasi sulmuan gjatë ndeshjes fansat anglezë, u rrëmbyen atyre shumë “trofe” (banera, flamuj, fanella të kombëtares angleze), të cilat tashmë i kanë listuar në internet për t’i shitur. Çfarë është dhe më tronditëse është se këto flamuj i kanë lyer me gjak, duke i dhënë situatës nuanca makabre. Por nuk mbyllet këtu.
Frika për zënka të mëtejshme ndërmjet dy tifozerive rritet për shkak të premtimeve ruse për trofe të tjerë. Në sajtin ku kanë reklamuar trofetë për të shitur, rusët thonë se pranojnë kërkesa dhe porosi, në mënyrë që të grabisin simbole të tjera angleze sipas preferencës së blerësve. Për këtë arsye mbrëmja e së mërkurës ka ngjallur frikë të mëtejshme tek autoritetet. Me Rusinë që luan kundër Sllovakisë në Lilë dhe Anglinë kundër Uellsit në Lens, dy tifozeritë huligane do jenë vetëm 48 km larg njëra-tjetrës. Të shpresojmë që t’u bjerë entuziazmi deri nesër, por ato njollat e gjakut janë gjithçka përveçse një ogur i mirë.