Joaquin El Chapo Guzman i konsideruar si ‘Zot i drogës’, i shpallur fajtor për dhjetë akuza është transferuar nën masa të rrepta në burgun e sigurisë së lartë “ADX Florence”, të quajtur edhe “Alcatraz i maleve shkëmborë”.
Burgu ku ‘El Chapo’, i famshëm për arratisjet spektakolare nga burgjet meksikane, do të kryejë dënimin, ndodhet në Kolorado dhe në një zonë larg kontakteve me botën e jashtme.
Një gjykatë në Nju Jork e dënoi udhëheqësin meksikan të rrjetit të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, me burgim të përjetshëm, plus 30 vjet.
Guzman, 62 vjeç, u shpall fajtor për dhjetë akuza, përfshirë atë për trafikim të drogës dhe pastrim parash, në muajin shkurt. Ai ka ikur nga burgu në Meksikë, përmes tunelit, në vitin 2015, por është arrestuar më vonë.
“El Chapo” është akuzuar për dërgimin e qindra tonelatave kokainë në SHBA, si dhe për konspiracion për të shpërndarë heroinë, metamfetaminë dhe marijuanë. Ai po ashtu thuhet se ka paguar njerëz për të kryer qindra vrasje, sulme, rrëmbime dhe akte torturash.