Me veprën e tij, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.
E së fundmi pritet të realizohet një film për mjeshtrin e penës.
Regjisori Ben Apolloni ka treguar se është duke punuar për skenarin e një filmi artistik me metrazh të shkurtër, lidhur me jetën e shkrimtarit Ismail Kadare. Në këtë film do të përfshihet periudha e rinisë së shkrimtarit të njohur i cili aktualisht është kthyer në simbol krenarie për kombin tonë.
Apolloni ka thënë se skenarin për këtë film tashmë e ka të përfunduar, sikurse që ka përzgjedhur edhe aktorin, që në këtë film do të shndërrohet në një Kadare. “Faktikisht, figura e aktorit më ka dhënë idenë për të bërë këtë film. Ai i ngjan shumë, dhe më pas e kam zhvilluar edhe skenarin”. Bëhet fjalë për Ibër Dearin që do t’i besohet roli në këtë film, që sipas Apollonit, ka për synim që ta realizojë brenda këtij viti.