Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë së Durrësit, pasi akuzohet për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova.
Policia njofton se është pezulluar polici A. L. dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga një shtetas kosovar, i cili shprehet se është kërcënuar nga polici, pasi kishte denoncuar vjedhjen e 3 celularëve të tij në banesën me qira në Durrës.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezullon menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova.Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga nje shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policise, sqarojmë opinionin publik se:
Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve. Me marrjen e njoftimit menjëherë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë kontakt me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qera i kishin marrë 3 aparatë celularë.
Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar proceduren që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët.
Gjatë komunimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar.
Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standarteve Profesionale ka nisur hetimin.