INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një shkrim emocionues nga gazetari turk i dënuar me burgim të përjetshëm: “Kurrë më nuk do ta shoh botën”

Një shkrim emocionues nga gazetari turk i dënuar me burgim të përjetshëm: “Kurrë më nuk do ta shoh botën”

Publikuar më: 17:30 10-03-2018

Ahmet Altan është gazetar dhe shkrimtar turk. Më 16 shkurt ai bashkë me pesë kolegë gazetarë u dënua me burg të përjetshëm. Ahmet Altan romancier dhe ish redaktor gazete; vëllai i tij, Mehmet Altan, një profesor i ekonomisë dhe komentator politik; Nazli Ilicak, një gazetare e shquar; dhe tre punonjës të medias u duan me burgim të përjetshëm për përfshirje në përpjekjen e grushtit të shtetit në Turqi më 15 korrik 2016. Vëllezërit Altan ishin shfaqur në një program televiziv të organizuar nga znj. Ilicak një ditë para përpjekjes së grushtit të shtetit. Prokurorët turq pohuan se ata dhanë "mesazhe të koduara" duke njoftuar grushtin e shtetit në program. Turqia thotë se një rrjet i udhëhequr nga Fethullah Gulen, një klerik islamik me seli në Shtetet e Bashkuara, orkestroi grushtin e shtetit, i cili përfshinte një përpjekje për jetën e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, bombardimin e Parlamentit dhe vdekjen e më shumë se 270 njerëzve. Në spastrimin që pasoi nga qeveria turke, më shumë se 150,000 njerëz janë pushuar nga puna, ndaluar ose arrestuar. 67-vjeçari Altan ka qenë kryeredaktor i gazetës Taraf, e cila ndërkohë është mbyllur. Në janar Gjykata Kushtetuese turke urdhëroi lirimin e tij, por një gjykatë e Stambollit e bllokoi vendimin. Shkrimin emocionues të gazetarit Ahmet Altan me titullin “'Kurrë Më nuk do ta shoh botën,' shkruar në burgun Silivri, të botuar nga “The New York Times” po e sjellim të plotë më poshtë.

Shkrimi i plotë i Ahmet Altan
Ata rrinë ulur në një bankë, e cila është dy metra e lartë. Bartin pelerina të zeza me jakë të kuqe. Pas pak orësh do të vendosin për fatin tim. Tërë kohën i shikoj. Nga monotonia kanë zgjidhur pak nyjat e kravatave. Kryesuesi i trupit gjykues, i cili gjendet në mes, shtrin krahun e djathtë mbi mbështetësen e karriges si një copë rrobash të lagura dhe luan me gishtërinj. Ka një fytyrë të gjatë e të hollë. Sytë e tij nën qerpikët e ënjtur janë gjysmë të mbyllur. Shikon rregullisht telefonin mobil për të lexuar mesazhet me shkrim.
Kur njëri nga kolegët e mi të akuzuar thotë se së shpejti duhet t’i nënshtrohet një operacioni me bajpas, kryesuesi i trupit gjykues afro mikrofonin te vetja e tij dhe thotë me ton mekanik: "Spitali na ka njoftuar se nuk ka arsye të liroheni nga burgu".
Me zërin e tij mekanik ai disa herë ua ndërpret fjalën avokatëve, kur ata përmendin argumentet kryesore: “I keni dy minuta. Vëri pikë!” Më kujtohet se çfarë ka shkruar Elias Canetti për njerëz të tillë: “Në siguri. Të qetë me vetveten. Të pushtetshëm. Pastaj dëgjojnë lutjen e një njeriu dhe që nga fillimi janë të vendosur të bëhen të shurdhër – a është e mundshme të sillesh më mizorisht?”
Minutat që i kalon në qeli ndërsa pret nëse do të dënohesh me burg të përjetshëm janë torturë.
Ndërsa të akuzuarit dhe mbrojtësit flasin, gjykatësi trashaluq, i cili ka zënë vend në anën e djathtë të kryesuesit të trupit gjykues dhe sytë e të cilit shikojnë në drejtime të ndryshme, mbështetet në karrigen e tij dhe shikon tavanin. Kënaqësia që pasqyrohet në fytyrën e tij tregon se ai bredh pas ëndrrave në pikë të ditës. Kur nuk sheh ëndrra, vë kokën mbi duar dhe fle. Gjykatësi në anën e majtë lexon diçka gjatë gjithë kohës në kompjuter, i cili gjendet para tij. Rreth mesditës na njoftojnë se do të tërhiqen për t’u këshilluar. Na rrethojnë policët. Ata bartin uniforma speciale me jelekë antiplumb dhe me mbrojtëse gjunjësh. Secili prej nesh kapet për krahu nga një polic dhe na largojnë pranë një radhe me roje. Duhet të zbresim shkallëve dhe na mbyllin në një qeli me pllaka dhe me grila të hekurta. Aty jemi të pestit. E akuzuara e gjashtë dërgohet diku tjetër meqë është grua.
Gjykata Kushtetuese turke i ka shikuar më herët pikat e aktakuzës kundër nesh dhe ka vendosur që «asnjëri nuk mund të arrestohet në bazë të akuzave të tilla». Gazetarët që bashkë me mua gjenden para gjyqit janë optimistë pas këtij aktgjykimi. Unë jo.
Të shqetësuar ecim poshtë e lartë nëpër qeli, nga një mur te tjetri. Minutat rrjedhin, herë ngadalë, herë shpejt, varësisht se për çka flasim. Kur minutat ecin ngadalë, ndiejmë plagë në brendinë tonë. I fshehim nga njëri-tjetri. Minutat që i kalon në qeli ndërsa pret nëse do të dënohesh me burg të përjetshëm janë torturë.
Ndërsa unë ëndërroj, tre burra, të cilët nga monotonia kanë zgjidhur pak kravatat e tyre, vendosin mbi fatin tim.Paksa i habitur vërej se në pesimizmin tim vazhdimisht ka çaste të shpresës. Një njeri që vuan nga acari i brendshëm nuk mund të heq dorë nga shpresa dhe shkëlqimi i saj i ngrohtë. Në qeli i dorëzohem ëndrrave të ditës: unë braktis burgun, marrë frymë thellë, përqafimi i parë, fjalët e miqve, aroma e lumturisë dhe përmbi qielli pa fund.
Ndërsa unë ëndërroj, tre burra, të cilët nga monotonia kanë zgjidhur pak kravatat e tyre, vendosin mbi fatin tim. Ndoshta tashmë kanë marrë vendim. Befas më kujtohet një paragraf nga romani im «Si një plagë shpate», i cili merret me ditët e fundit të Perandorisë Osmane: njëri nga protagonistët e mi është arrestuar dhe pret dënimin e tij. Atëbotë unë pata shkruar: “E çara mes momentit kur ndryshon fati i një njeriu dhe momentit kur ai e kupton këtë atij iu duk aspekti më i llahtarshëm, më tragjik i jetës. E ardhmja është e qartë, por njeriu pret ende një të ardhme krejt tjetër me pritje të tjera dhe ëndrra, pa e ditur se e ardhmja e tij është vulosur qëmoti. Injoranca e kësaj pauze ishte e tmerrshme dhe atij iu duk si dobësia më e madhe e njerëzimit”.
Më kujtohen këta rreshta dhe filloj të dridhem. Po e përjetoj pikërisht atë që e kam shkruar në një roman. Para disa vitesh unë kam shtegtuar nëpër këtë zonë të shënuar jo qartë, enigmatike dhe të mjegullt, ku letërsia e prek jetën. Atëbotë kisha parë fatin tim, pa e dalluar. Jam në burg si heroi im. Ashtu si ai edhe unë pres dënimin. Jeta ime imiton romanin. Çfarë do të bëhet realitet nga ajo që kam shkruar? Ndihem sikur jam përfshirë nga një vorbull, në të cilën jeta dhe fiksioni im rrjedhin në njëra-tjetrën. Çfarë fati do t’i dhuroja heroit tim? Si mori fund kjo atëherë?
Kryesuesi i trupit gjykues, sytë e të cilit janë fshehur pas qerpikëve të ënjtur, shpall dënimin: «Burg i përjetshëm pa lirim të përkohshëm».
Befas dëgjoj çizmet e policisë. “Ejani”, thotë një zë, “vendimi është marrë”. Befas më kujtohet përsëri: personazhi im kryesor ishte dënuar. Ky ishte fati që e kisha menduar për të.
E di se së shpejti do të dënohem. Sepse pikërisht këtë e kam shkruar. Policët më sjellin lart. Hyjmë në sallën e gjyqit dhe zëmë vend. Gjykatësit hyjnë dhe veshin pelerinat e tyre, të cilat i kanë lënë në karriget e tyre. Kryesuesi i trupit gjykues, sytë e të cilit janë fshehur pas qerpikëve të ënjtur, shpall dënimin: “Burg i përjetshëm pa lirim të përkohshëm”.Pjesën e mbetur të jetës sonë do ta kalojmë vetëm në një qeli, e cila është tri metra e gjatë dhe ri metra e gjerë. Një orë gjatë ditës do të shohim diellin. Nuk do të na falin kurrë dhe do të vdesim në burg. Ky është dënimi. Shtrij duart dhe ata m’i vendosin prangat. Kurrë më nuk do ta shoh botën. Kurrë nuk do ta shoh qiellin pa kornizën, të cilën e përbëjnë muret e oborrit të burgut. Zbres në ferr. Shkoj në errësirë si një zot, i cili ka shkruar fatin e tij. Unë dhe heroi im zhdukemi së bashku në errësirë.

Article Logic
Execution time: 0.0041618347167969