INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një skenë mes alpeve, Zâ Fest mbledh në Theth kantautorët më të mirë shqiptarë

Një skenë mes alpeve, Zâ Fest mbledh në Theth kantautorët më të mirë shqiptarë

Publikuar më: 13:54 23-08-2017

Deri më tani jemi mësuar që muzikën bashkëkohore shqip ta shijojmë në sheshet dhe sallat më në zë të qyteteve tona.

Në fakt gjatë fundjavave, nga Saranda deri në Shkodër dhe kryesisht në Tiranë, janë me dhjetra eventet që na ftojnë të kalojmë disa orë të këndshme në shoqërinë e muzikës cilësore live. Këtë fundjavë, një event krejt i pazakontë na fton të thyejmë rutinën, për t’u bërë pjesë e një festivali unik, i cili bën bashkë kantautorë origjinalë, trashgiminë kulturore dhe natyrën mbresëlënëse të një prej perlave të natyrës shqiptare.

Të shtunën, 26 gusht, në Parkun Kombëtar të Thethit do të zhvillohet edicioni i parë i “Zâ Festival - Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit”. Pikërisht mes majave të larta të Thethit, siç janë Radohima, Harapi dhe Aliu, nën hijen e Alpeve Shqiptare, do të ngrihet skena e Zâ Festival. Në këtë skenë, me sfond peizazhin malor më magjik të vendit tonë, do të ngjiten kantautorë që kompozojnë dhe këndojnë shqip në skenat europiane. Elina Duni, Vlashent Sata dhe Shpat Deda do të performojnë për publikun pjesë të repertorit të tyre, një përzierje e pop-it me folk-un shqip, bashkë me nuanca jazz-i. Sipas organizatorëve të eventit Zâ Fest synon të promovojë atë rrymë të muzikës që flet ekskluzivisht shqip dhe që lufton me komercialen për të risjellë këngët e vjetra, duke i shpluhurosur nga harresa me motive bashkëkohore. Nëse të shtunën shkoni në Theth, për t’u bërë pjesë e Zâ Fest, përgatituni të shijoni vetëm muzikë live dhe krejtësisht instrumentale.

Përtej muzikës origjinale, Zâ Fest premton t’i japë “zâ” edhe disa copëzave të trashgimisë kulturore të zonës së Thethit dhe më gjerë, nga të gjitha krahinat e Alpeve Shqiptare. Bëhet fjalë për përrallat, gojëdhënat apo legjendat qindravjeçare, të cilat janë përcjellë me fanatizëm gojë më gojë nga paraardhësit tanë. Këto xhevahire të paçmuara do të performohen në skenë nga aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj. Bajraktaraj njihet për rolet e suksesshme në filma si “Harry Potter”, “Taken”, “Sarah’s Key”, “Of Gods and Men” etj.

Vetëm 70 km nga Shkodra, Thethi është qendra më e rëndësishme turistike-alpinistike në të gjithë veriun e Shqipërisë. Thethi është i mbushur me kulla qindravjeçare dhe ndodhet fare pranë vendeve natyrore që mahnisin me bukurinë e tyre, siç janë “Ujëvara e Thethit”, “Kanioni i Gunasit”, “Maja e Arapit” apo “Syri i Kaltër”. Me ndihmën e një guide të specializuar, e cila nuk kushton shumë, të gjitha këto vende mund të kthehen në një aventurë të paharrueshme. Gjithashtu kjo zonë njihet për mikëpritjen dhe konsiderohet nga banorët si trashgimia e tyre më e vyer. “Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut”, kjo nuk është vetëm një moto, por shprehi e karakterit mikëpritës të banorëve të Thethit. Në Theth janë ngritur me dhjetra bujtina, për t’i ofruar vizitorëve ushqime 100% bio, shtretër të rehatshëm dhe të gjithë ngrohtësinë e nevojshme, 1000 metra mbi nivelin e detit.

Çdo vit zona e Thethit vizitohet nga mijëra turistë të huaj, por mbetet ende për t’u zbuluar nga vetë shqiptarët. Zâ Fest kthen vëmendjen te kjo perlë e natyrës, duke sjellë për publikun muzikë origjinale dhe rrëfenjat e paraardhësve, me sfond peizazhe përrallore, në gjirin e mikëpritjes tradicionale shqiptare.

 Gjatë fundjavës, Zâ Fest pritet të jetë festivali më joshës për qindra vizitorë shqiptarë dhe të huaj. Po ti, çfarë do të bësh të shtunën?

za2.jpg

Article Logic
Execution time: 0.003615140914917