Java e parë e gushtit do të shoqërohet me temperatura të larta në të gjithë territorin e vendit. Pjesa e parë e ditës së sotme do të jetë me kthjellime e vranësira kalimtare, ndërsa në pasdite vranësirat fuqizohen në zonat malore. Sipas Meteoalb, gjatë ditës së sotme do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave, maksimalja do të shënojë 38 gradë celsius. Gjatë javës së parë të gushtit temperaturat do të jenë të larta, orëve të mesditës vlerat termike do të variojnë nga 30 - 36°C në zonat malore (maksimumet në Verilindje) ndërsa temperatura mbi 36°C thuajse në të gjithë Ultësirën Perëndimore. Ndërsa në Shkodër, Berat dhe rrethinat e tyre pritet që temperaturat të ngjiten në 39°C . Sa i përket reshjeve të shiut, parashikohet që 10-ditëshi i parë të jetë kryesisht i thatë, shirat më të pranishëm në formën e stuhive të izoluara në zonat malore. Sipas meteorologëve në datat 2 dhe 3 gusht parashikohen rrebeshe afatshkurtra në zonat Qendrore dhe Jugore të vendit.