Deputetët që janë në sallën e Parlamentit sigurisht që janë zgjedhur për të mbrojtur interesat e votuesve të tyre. Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin e fundit për aktivitetin parlamentar për periudhën Janar-Gusht 2019.
Stafi i ISP ka monitoruar seancat plenare dhe ka kalkuluar numrin e fjalimeve për çdo deputet, sipas grupit dhe forcës politike që përfaqësojnë, duke përfshirë deputetët me mandat të plotë, ata që dorëzuan mandatet, ata që u dorëhoqën dhe ata që erdhën pas tyre. Krahas listës së deputetëve më aktivë në debatet parlamentare, merr vlerë edhe lista e deputetëve më pak aktivë, dhe konkretisht, lista e deputetëve që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim në 24 seancat plenare ku kanë marrë pjesë plotësisht apo pjesërisht. Në listë bëjnë pjesë kryesisht deputetë të rinj të ardhur rishtas në parlament dhe pa përvojë parlamentare, por bie në sy dukshëm ekzistenca në listë e disa deputetëve me më shumë se dy mandate parlamentare, të cilët bëjnë pjesë tek “të heshturit” në parlament gjatë 2019.
Të tillë janë sidomos deputetët Tom Doshi e Lefter Koka, Ylli Shehu e Anduel Xhindi, Paulin Sterkaj e Andrea Marto, si dhe “prurjet” e reja të PS më 2017, deputetët Rrahman Rraja e Ilir Ndraxhi dhe Gjetan Gjetani. Nga deputetët e rinj të ardhur gjatë pranverës në parlament gjenden kryesisht emra pa përvojë parlamentare, por me përvojë në partitë e vogla politike ose në angazhime të tjera ekzekutive dhe publike. Midis emrave bën pjesë edhe deputeti Adriatik Alimadhi, i cili ka pasur një replikë në parlament, por që zyrtarisht figuron si deputet pa fjalime në parlament. Dhe janë jo pak por plot 22 deputetë.
Përveç të sipërpërmendurve listës i shtohen edhe Alban Zeneli, Edmond Rrushi, Edmond Stojku, Eugen Bojaxhi, Nikolin Staka, Amra Barova, Enada Kapllani, Koçi Tahiri, Ramazan Gjuzi, Ardit Konomi, Artemis Dralo, Elio Hysko dhe Paulin Sterkaj.