INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Njoftim! Situatë kritike në Bovillë, UKT: Uji është i papërdorshëm

Njoftim! Situatë kritike në Bovillë, UKT: Uji është i papërdorshëm

Publikuar më: 14:33 01-12-2017

Reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme dhe turbullira në Liqenin e Bovillës, duke sjellë një situatë kautike në impiantin e përpunimit dhe mos furnizimit me ujë të një pjese të qytetit të Tiranës.

Aktualisht, nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht përt’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. Për këtë arsye,momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar.

Por pavarësisht të gjitha problemeve që po has në furnizim, UKT po shfrytëzon të gjitha burimet alternative të mundshme si burimet e Shën Mërisë, Bërxullës dhe Laknasit , për të mundësuar mungesën e ujit të pishëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

UKT njofton për probleme në Bërxullë e Bovillë, ja zonat që ka mungesë uji:

Kushtet e vështira atmosferike kanë shkaktuar përmbytje në N/Stacionit Elektrik të Kasharit për pasojë stacionet e pompimit të Bërxullit, CocaCola dhe Laknas janë përkohësisht jashtë funksionit për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Gjithashtu po nga reshjet e dendura është shkaktuar turbullirë në Liqenin e Bovillës, për pasojë impianti i përpunimit të ujit të Bovillës momentalisht nuk është në funksion.

Në zonat e mëposhtme do të ketë kufizime të furnizimit me ujë deri në rikthimin e energjisë elektrike dhe përmirësimit të situatës:

Kinostudio, Xhamlliku, Allias, Pazari i Ri, Rr. “5 Maji”, Laprakë, Rr. E “Kavajës”, Rr. E “Durrësit”, zona e “Vasil Shanto” dhe Yzberisht.

Burimet e tjera po punojnë me kapacitet të plotë.

“Stafi i Ujësjellësit që nga mbrëmja e djeshme, është duke monitoruar çdo 15 minuta nivelin e turbullirës në liqenin e Bovillës, gjithashtu kemi marrë masat duke furnizuar në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. Kemi në dispozicion 20 bote që furnizohen në stacionet tona me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.

Deri tani kemi kryer mbi 50 furnizime me ujë në QSUT, Spital Ushtarak dhe Maternitete, duke bërë të mundur që të gjitha këto institucione të mos e ndjejnë në mënyrë absolute reduktimin e furnizimit me ujë.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të përdorin me kujdes dhe të kursejnë ujin deri në kapërcimin e situatës emergjente të shkaktuar nga kushtet atmosferike.

UKT falenderon banorët e kryeqytetit për mirëkuptimin dhe durimin!”, thuhet ne njoftimin zyrtar te UKT.

Article Logic
Execution time: 0.0039141178131104