Muajin e kaluar tërhoqi vëmendjen e të gjithëve një postim i Noizyt në rrjete sociale ku i bënte thirrje studentëve se zgjidhja arrihet me dialog. Pas postimit të Noizyt, Eduart Ndocaj e quajti reperin “këngëtar tallavaje dhe me 5-vjeçare”.
“Noizy i tallavasë me 5-vjeçare u jep mend mbi 10 mijë studentëve që s’kanë lekë për të mbaruar studimet dhe i bashkohet velinës dhe bandës së Edvinit me paturpësinë më të madhe”, shkruante politikani.
I ftuar në “Xing me Ermalin”, Eduart Ndocaj foli për herë të parë për këtë postim që u komentua shumë në media.
“Isha në Orosh në një shkollë pa energji elektrike dhe aty rastësisht në tualet pashë që fëmijët kishin shkruajtur emrin e grupit të Noizyt OTR. E filmova, e publikova dhe ishte ironike sepse Noizy u bashkua me anti-studentët. Duke qenë se Noizy nuk e di nga e ka derën universiteti, thashë ç’ne ky. Sipas thashethemeve ai ka marrë një leje për një pallat në Durrës, që të thonte këtë. Nuk dua të shpik, por kështu kam dëgjuar”, u shpreh Ndocaj.
Pas kësaj deklarate, moderatori Ermal Mamaqi mori Noizyn live në emision për ta pyetur nëse kjo është e vërtet.
“Atë postim nuk e kam bërë për asnjë çështje interesi, por për të mbrojtur të rinjtë sepse ata mund të ishin të afërm të mi, janë fansat e mi, mund të isha unë ose motra ime. Nuk është bërë për asnjë çështje politike. As nuk kam lidhje fare. Mua s’më rruhet për asnjë anë politike se unë gjithçka e kam bërë me forcën time”, tha Noizy.